Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë sot se rastet si Gani Thaçi janë arsyeja pse qytetaret nuk kanë pikë besimi ne sistem, në shtetin e Kosovës.
“Rastet si Gani Thaçi është një ndër arsyet pse publiku apo qytetarë të caktuar kanë paragjykime për ushtarët e UÇK! Rastet si Gani Thaçi është arsyeja pse publiku çdo zyrtar publik e paragjykon dhe e fut në thes të njëjtë me zyrtaret qe pozitën ne shoqëri e shfrytëzon për interesa puro personale. Rastet si Gani Thaçi janë sinonim i fjalës se urtë popullore: “Kur e di kënd e kam dajë, po ja marr inati edhe nanës”, thuhet në reagimin e Miftarajt.
Gjatë ditës së sotme në media ka qarkulluar vendimi i asamblesë së përgjithshme të BSK-së, ku thuhet se në vitin 2019, Gani Thaçi vëllai i madh i ish-presidentit Hashim Thaçi, kishte dal në pension të parakohshëm. Për vite me radhë ai ishte njëri nga njerëzit kryesor të Byros Kosovare të Sigurimeve, një institucion i pavarur shtetëror anëtarë të së cilës janë kompanitë e sigurimeve. Në këtë institucion Thaçi kishte marrë pagë dhe shtesa të majme. Pensionimi i parakohshëm i Gani Thaçit, vëllait të madh të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, i kushtoi këtij institucioni mbi 176 mijë euro.
Në vendimin e Asamblesë së BKS-së, të vitit 2019 ky institucion merrte përsipër që t`i paguhej paga e plotë prej 4 mijë eurove, deri ditën kur Thaçi do të dilte në pension të rregullt. Kjo nënkuptonte se në total BKS-ja duhej të paguante 168 mijë euro./Insajderi.com