Miftaraj: Shtetet që e kanë sponzorizuar Specialen nuk ofrojnë garancë

Miftaraj: Shtetet që e kanë sponzorizuar Specialen nuk ofrojnë garancë

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka deklaruar se shtetet e fuqishme të cilat kanë qenë promovuese të Gjykatës Speciale nuk mund të garantojnë për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi sipas tij, mund të konsiderohet si ndërhyrje në procesin gjyqësor, njofton Insajderi.

Ai ka bërë të ditur se vend i tretë për të dhënë garanci është edhe Kosova, “ose thënë ndryshe është vendi i parë në raport me shtetet tjera”.

“Shtetet e fuqishme qe kane qene sponzorizues dhe promovues të Gjykatës Speciale nuk dalin garant, sepse mund të konsiderohet si paragjykim dhe një lloj ndërhyrje në procesin gjyqësor, për shkak se kjo gjykatë financohet kryekëput nga këto shtete, prokurorët dhe gjykatësit vijnë mu nga këto shtete. Shtetet demokratike i kushtojnë rëndësi jo vetëm pavarësisë ne ligj dhe procedurë, por edhe në dukje, dhe përceptimit në publik”, ka shkruar Miftaraj në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, të akuzuarit në Hagë kanë qenë bashkëpunues, “dhe ne baze te praktikes, ligjit mbi dhomat e specializuara dhe rregullave te brendshme nuk do të duhej të mbahen më shumë se një vit ne paraburgim”.

“Ne skenarin me te keq, me ose pa garancë nga Kosova ose nje shtet i trete, ne momentin qe gjykimi kalon ne shqyrtim gjyqësor te akuzuarit do te mund te mbrohen ne liri. Përjashtimisht, kjo mase mund te ndryshoj nëse nuk i respektojnë masat dhe kufizimet qe mund te ua përcaktoj gjykata. Nuk ka logjikë qe një proces gjyqësor i drejte qe promovon të drejtat dhe liritë e te pandehurve t’i mbaj ne paraburgim të akuzuarit pese vite aq sa pritet të zgjas procesi gjyqësor në shkallë të parë”, ka përfunduar ai./Insajderi.com