Miftaraj: Tërheqja e Ambasadës Amerikane për anëtarët e rinj në KPK – mjerim për Drejtësinë

Miftaraj: Tërheqja e Ambasadës Amerikane për anëtarët e rinj në KPK – mjerim për Drejtësinë

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (IKD), Ehat Miftaraj, ka komentuar tërheqjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga procesi i mbikëqyrjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve, transmeton Insajderi.

Sipas Miftarajt, kjo tërheqje është një mjerim për sistemin e drejtësisë.

“Pasi që edhe Amabasda u tërheq, menjëherë disa ditë pas Raportit të Progresit që u publikua nge Komisioni Evropian tregon politizimin e këtij sisitemi, tregoi se ky sistem nuk ofron drejtësi dhe se është krijuar një problem për Kosovën”.

“Sot një farë mënyre tërheqja e Ambasadës ia dha vulën se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) edhe në vitin 2020 është me politika te vjetra dhe me procese se dihet kush do të jetë anëtarë i ri KPK-së”, tha Miftaraj për Klan Kosovën.

Ai tutje u shpreh se ky veprim tregon atë që shumë organizata joqeveritare e kanë thënë, se sistemi i drejtësisë në vend ka rrëshqitur në një shtet të kapur.

“Ky veprim i Ambasadës i ka dhënë pikën asaj që ne si Institut i Kosovës për Drejtësi, por edhe shumë organizata joqeveritare kemi thënë se sistemi i drejtësisë në vend ka rrëshqitur në një shtet të kapur, ku institucionet të cilat do të duhej të garantonin të drejtat dhe liritë e qytetarëve kthehen në shkelësit më të mëdhenj të tyre”, tha tutje njohësi i cështjeve juridike.

Miftaraj ka thënë se sistemi prokurorial në Kosovë është bërë sistem i kapur.

“Janë dy rrugë, ne si IKD themi që për tu kthyer legjitimiteti në KPK duhet të tërhiqen nga pozitat që kanë tani Aleksandër Lumezi, kryeprokurori i shtetit, zëvendëskryeprokurorja e shtetit, Sevdije Motina, kryesuesi i KPK, Bahri Hyseni dhe nënkryetari i KPK-së, Arben Ismajli”.

“Ata duhet të tërhiqen tërësisht nga sistemi prokurorial në Kosovë, pasi për pesë vite sa këta udhëheqin në sistemin prokurorial i Kosovës është bërë një sistem i kapur, i cili nuk është në gjendje t’i ushtrojë kompetencat në bazë përgjegjësive që i takojnë”.

“Nëse këta katër akterë nuk tërhiqen nuk lëshojnë rrugë, më së shumti do të kenë pasoja qytetarët e Kosovës pasi vit pas viti janë të zhgënjyer dhe janë viktimë e këtyre personave pasi nuk ushtrojnë kompetencat e tyre kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit jemi i vetmi vend që s’ka liberalizim të vizave, jemi i vetëm që Raporti i Progresit i del se kemi rezultatet më të pakta dhe jemi vendi i fundit sa i përket marrëveshjes stabilizim-asocimit, respektivisht jemi vendi i fundit në Ballkan sa i përket integrimeve evropiane”, ka thënë Miftaraj. /Insajderi.com