Mikullovci: Nëse PAN nuk vjen nesër, unë nuk thërras më seanca

Mikullovci: Nëse PAN nuk vjen nesër, unë nuk thërras më seanca

Nëse koalicioni PAN nuk e dërgon nesër në Kuvend emrin e kandidatit për kryerparlamentar, kryesuesi i Kuvendit më nuk do të thërrasë seancë. Kështu po zotohet deputeti më i vjetër në Kuvendin e Kosovës, i cili deri në konstituimin e Kuvendit mban rolin e kryesuesit, Adem Mikullovci.

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni PAN, gjatë ditës së sotme në një konferencë për media, ka bërë të ditur se ende janë në konsultime me partitë politike rreth formimit të Qeverisë së re.

Sipas tij, edhe të enjten, kur është caktuar vazhdimi i seancës konstitutive, mund të ndodhë që deputetët nga koalicioni PAN (PDK, AAK dhe Nisma) të mos jenë të pranishëm.

“Jemi ende në përpjekje që nesër të jemi në seancë. Ekziston mundësia reale që edhe nesër të mos mund të fillojmë. Me këto shtyrje e fitojmë në një aspekt tjetër kohën për shkak se e bëjmë gati një nisje që do të jetë më gjithëpërfshirës e qëndrueshme”, tha Haradinaj në një konferencë për media në AAK derisa ka prezantuar kandidat për kryetar të komunave.

E nëse PAN-i nesër nuk merr pjesë në seancë, atëherë ajo nuk do të mbahet.
Kështu po deklaron për Gazetën Express, kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputeti më i vjetër në moshë, Adem Mikullovci. Ai të mërkurën ka deklaruar se më nuk e ka ndërmend të shkojë në konsulta me pjesëtarët e koalicionit PAN, ngase, sipas tij, ata nuk po i mbajnë fjalët. Ai madje thekson se do ta shpërndajë Kuvendin, edhe pse nuk e ka një mundësi të tillë.

“…po nuk erdhën ata ne nuk kem si ta bëjmë ndryshe. Nëse nesër nuk sillet emri për kandidat unë e shpërndaj Kuvendin, dhe nuk e kam ndërmend që më të thërrasë mbledhje. Ata u zotuan botërisht që do të vinë me emër të kandidatit në seancë, tash po del që ndoshta nuk do të vijnë fare. Më nuk ka konsultime me ta, me mua të paktën jo, e me dikë tjetër nuk e di”, ka deklaruar Mikullovci.

Tutje, ai është shprehur se në rast të mospjesëmarrjes së koalicionit PAN, në seancën e nesërme, atëherë ai do të kërkojë që për këtë situatë zgjidhje të japin kryetarët e partive politike.

“Unë do të kërkoj që kryetarët e partive të ulen dhe ta zhbllokojnë situatën. Për gjithë këtë situatë, të gjitha fajet i ka një nen i kushtetutës që partia që ka fituar shumicën në zgjedhje e jep kandidatin për kryetar të Kuvendit”, ka thënë Mikullovci.

E ndërkohë, Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se nesër do të mbahet vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit. Kjo datë ishte thirrur nga koalicioni PAN. Ky i fundit ka premtuar në mbledhjen e fundit të kryesisë së në seancën e 24 gushtit në Kuvend do ta dërgojnë emrin e kryeparlamentarit, të nominuarit nga ky koalicion, Kadri Veselin.