Mikullovci thotë se nuk do të thërret më takime konsultative

Mikullovci thotë se nuk do të thërret më takime konsultative

Gjatë ditës së nesërme kryesia e Kuvendit, me ftesë të koalicionit PAN, pritet të mbajë një takim konsultues.

Pjesë e takimit nuk do të jetë Lëvizja Vetëvendosje. E kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, si deputeti më i vjetër i kësaj legjislature, po zotohet se nuk do të pranojë takime të tjera konsultative pos atij të nesërm. Ndërkohë që thotë se nuk shpreson se PAN-i do të marrë pjesë në seancën e së mërkurës.

Adem Mikullovci është shprehur pesimist për pjesëmarrjen e koalicionit PDK-AAK-Nisma në seancën e së enjtes. Mikullovci thotë se PAN-i mund të propozojë ndonjë datë tjetër pos asaj të së enjtes për të sjellë në Kuvend emrin e kandidatit për kryeparlamentar. Por, ai shprehet i bindur se data të tjera për seancë nuk do të ketë.

“Të them të drejtën nuk besoj që PAN-i do të marrë pjesë në seancën e së enjtes. Shpresoj që ata të marrin pjesë, por duke i parë konsultimet që i pata me ta, ata vazhdimisht po i hanë fjalët e thonë e kërkojmë edhe një takim konsultativ edhe pas kaq ditëve. Unë më nuk i jap takime. Unë i hëngra fjalët kur thashë që nuk do të ketë më takime konsultative, por po e shoh se ndryshe nuk po bën”, ka thënë ai për Express.

Megjithatë, ai thotë se nëse PAN-i kërkon takime të tjera konsultative, atëherë vendimin për këtë çështje ai do t’ua lërë deputetëve dhe Kuvendit të Kosovës. Ai thotë se në të gjitha rastet i është përmbajtur rregullores së Kuvendit dhe Kushtetues.

“Megjithatë, unë po shkoj edhe në një takim, por nëse kërkojnë të tjerë unë do e thërrasë seancën e Kuvendit, dhe do e lë që të mblidhen partitë dhe të marrin një vendim. Realisht nga takimi i nesërm nuk pres shumë. Jam shumë pesimist. Ata eventualisht mund të kërkojnë datë tjetër kur do të vijnë me datën e kandidatit për kryetarë të Kuvendit, por seanca të tjera përpos të enjtes nuk i pranoj. Nuk jam kompetent për këto. Për këtë do të vendosë Kuvendi”, ka deklaruar tutje ai.

Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se për të enjten në orën 10:00 është thirrur vazhdimi i seancës konstitutive. Seanca ka vetëm një pikë të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe të nënkryetarëve.

Në seancën e së hënës nuk kanë marrë pjesë koalicioni PAN e as minoritetet në Kosovë.