fbpx

Milaim Zeka hesht për lidhjet e tij me Fitim Thaqin

Milaim Zeka hesht për lidhjet e tij me Fitim Thaqin

Deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka ka lidhje miqësore dhe familjare me sulmuesin e Vehbi Kajtazit, Fitim Thaqin. Personi që sulmoi fizikisht kryeredaktorin e Gazetës Online Insajderi të premten, është shfaqur i afërt me Milaim Zekën në një fotografi të publikuar nga Thaqi në rrjetin social Facebook.

Madje, Halla e Milaim Zekës është e martuar për axhën e Fitim Thaqi – personit nga fshati Llapushnik që është shpallur sot në kërkim nga Policia e Kosovës për ekzekutimin e sulmit ndaj gazetarit Kajtazi.

Por, Milaim Zeka ka heshtur për lidhjet e tij me Fitim Thaqin. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk e ka hapur telefonin për të komentuar afërsinë me sulmuesin e Kajtazit.  Zeka, po ashtu ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet që Insajderi ia ka dërguar sot, pas identifikimit të Fitim Thaqit nga Policia.

Ndërkaq, Fitim Thaqi gjithashtu është nip i familjes së Azem Sylës, raporton Insajderi.

Insajderi raportoi sot se një informator i ka treguar Policisë së Kosovës se më 4 tetor, nga ora 13 deri në 14 pasdite, Milaim Zeka, Faton Ramadani, Fitim Thaqi kanë diskutuar në restorantin Central për sulmin.

Prej korrikut të vitit të kaluar Milaim Zeka ka nisur një fushatë linçuese me gjuhë të urrejtjes kundër Insajderit dhe drejtuesve të këtij mediumi, Vehbi Kajtazi e Parim Olluri.

Zeka ka linçuar Kajtazin e Ollurin si bashkëpunëtor të Serbisë dhe shërbimit sekret serb, duke përhapur kështu pohime të pavërteta që motivojnë sulme deri në likuidim fizik.

Më 3 tetor, Insajderi raportoi për mashtrimet me viza të deputetit të NISMA-s Milaim Zeka dhe biznesmenit Ilir Krasniqi.

Në një hulumtim të publikuar nga gazeta, raportohet se 920 kosovarë kishin provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e Zekës dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi. /Insajderi.com