Për herë të parë një prokuror vendës ka arrestuar një deputet të Kuvendit të Kosovës. Për herë të parë një gjyqtare vendëse duhet të vendos nëse Milaim Zeka do të qëndrojë në paraburgim apo të lirohet në procedurë të rregullt.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, të hënën ka lëshuar urdhërarrestin për deputetin e Nismës për Kosovën, Milaim Zeka në cilësi të të dyshuarit për krim të organizuar, shpëlarje parash dhe mashtrim.
Zeka së bashku me Ilir Krasniqin kishin themeluar një agjenci punësimi të quajtur “Ilir Krasniqi Milaim Zeka OP”, me anë të së cilës kanë mashtruar 920 kosovarë duke ua marrë nga 1. 050 euro deri në 3. 500 euro për viza pune në Gjermani.
Por, aplikuesit janë mashtruar dhe nuk janë pajisur me viza e as me punësim.
Insajderi ditë më parë ka publikuar një hulumtim me katër vazhdime për këtë skemë mashtrimi. Ka zbuluar se si Zeka drejtonte në prapavijë një skemë kriminale mashtrimi duke përfituar shuma të mëdha parash në mënyrë të paligjshme.
Sidoqoftë, kjo është hera e parë që një zyrtar kaq i lartë i shtetit arrestohet nga prokuror vendës dhe dërgohet para një gjyqtari vendës. Ky rast është testi i parë nëse drejtësia është e pavarur apo do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve politike. /Insajderi.com