Millan Radoiçiq endet i lirë në veri të Kosovës

Millan Radoiçiq endet i lirë në veri të Kosovës

Përderisa gjykimi për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, po vazhdon në Prishtinë, Millan Radoiçiq, që nga heqja e urdhërarrestit për të, në muajin mars, gjendet në Mitrovicën e Veriut, një nga katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë avokati Zhivojin Jokanoviq, i cili, siç ka thënë, kohë pas kohe e përfaqëson atë.

“Ai nuk është i akuzuar për asgjë”, tha Jokanoviq.

“Ai gjendet në Kosovë gjatë gjithë kohës, në Mitrovicë, qëkur është hequr urdhërarresti për të”, theksoi Jokanoviq.

Çfarë thotë aktakuza?

Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, parti kjo udhëheqëse e serbëve të Kosovës, si dhe afarist, bashkë më një afarist tjetër nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ndërlidhen me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Ivanoviq ka qenë lider i subjektit opozitar Iniciativa Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”.

Është vrarë para selisë së këtij subjekti në Mitrovicën e Veriut, nga të shtënat prej revoles, në janar të vitit 2018.

Aktakuza është ngritur kundër Nedelko Spasojeviqit (zyrtar i policisë), Marko Roshiqit (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviqit (sekretare e Oliver Ivanoviqit të vrarë), Dragisha Markoviqit (zyrtar i policisë), Zharko Jovanoviqit (zyrtar i policisë) dhe Rade Basara (zyrtar i policisë).

Në mesin e të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, përmenden edhe Zheljko Bojiq (shef i operativës së Policisë së Kosovës për rajonin e veriut), Milan Radoiçiq (afarist) dhe Zvonko Veselinoviq (afarist)./Insajderi.com