Shkruan: Ardian Megjani
Republika e Kosovës vazhdon të kundërshtoj mos pjesëmarrjen në ‘’ Mini Shengenin ‘’ Ballkanik, përmes një alibie interesante!
“Mini Shengeni” Ballkanik, nënkupton udhëtimin e të gjithë qytetarwve të këtyre shteteve anëtare, vetëm me letërnjoftim. Lejet e përbashkëta të punës dhe njohja e kualifikimeve, diplomave pa procedura shtesë. Shkëmbim studentësh. Bashkëpunim kufitar, bashkëpunim ekonomik, dhe bashkëpunim në luftim të krimit dhe terrorizmit janë benifitetet e tjera të këtij “mini shengeni” Ballkanik.
Realisht, Republika e Kosovës tashmë ka marrëveshje për lëvizje të mallrave me të gjitha vendet e rajonit përmes marrëveshjes së CEFTA – së. Gjithashtu, Kosova ka marrëveshje të lëvizjes së lirë të qytetarëve vetëm me letërnjoftime me: Shqipërinë, Maqedoninë Veriore, Malin e Zi dhe Serbinë. Me fjalë të tjera, “mini shengeni” Ballkanik ekziston dhe se Kosova është pjesë e saj, me marrëveshjet e lartëcekura të nënshkruara me vendet e rajonit nga protagonistët e njëjtë që sot po kundërshtojnë një iniciativë të tillë!
Praktikisht, pjesëmarrja e Kosovës në “Mini shengenin” Ballkanik, së bashku me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në të, do të zbehte ndikimin e Serbisë. Kurse, mos pjesëmarrja e Kosovës, shton dhe më shumë hapësirat ndikuese të shtetit serb. Gjithashtu, Serbia do të shfajësohet para bashkësisë ndërkombëtare me pretekst se vetëm Kosova është kundërshtuese e nismave bashkëpunuese rajonale dhe se Serbia dëshiron paqe dhe bashkëpunim me vendet e rajonit.
Pastaj, pjesëmarrja e Kosovës në organizime rajonale siç është ky “mini shenjen”, do të krijonte hapësirë për t’u prezantuar si palë e barabartë, me përfaqësues të barabartë, së bashku me flamurin e Republikës së Kosovës prezent dhe me zërin e Kosovës si faktor Brenda, duke u përfaqësuar vetë, dhe jo nga të tjerët nga jashtë.
Vizioni për një Kosovë Brenda ‘’Mini Shengenit‘’ Ballkanik nuk është në asnjë formë kundër proceseve integruese evropiane, përkundrazi, forcon edhe më tutje orientimin e saj integrues dhe e bën edhe më të lehtë mentalitetin integrues. Sot, pjesë e kësaj nisme rajonale janë edhe: Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Mali I Zi, shtete anëtare të NATO -së, dhe në proceset integruese në Bashkimin Evropian qëndrojnë shumë më lartë se sa Kosova.
Por, duke parë rrethanat se këto shtete ballkanike ende nuk kanë arritur fazën finale të procesit integrues për në BE, që mund të marrë dhe shumë vite apo dekada dhe se më pastaj mund të kenë problem mes tyre për shkak të aspekteve politike dhe historike. Kjo ide është përkrahur edhe nga vetë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkrahja e saj është bërë me qëllim që shtetet e Ballkanit perëndimor të vazhdojnë bashkëpunimet përmes “mini shengenit” ballkanik si formë transitore drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ku në fazën finale anëtarësimi i përbashkët në Bashkimin Evropian me gjasë do të jetë anëtarësimi në bllok për tërë shtetet e “mini shengenit” Ballkanik!
Pra, ky “mini shenjen” është për shtetet ballkanike që nuk janë pjesë e BE – së, dhe si i tillë nuk mund të jetë Brenda saj p.sh. shtetet si Kroacia dhe Sllovenia që janë pjesë e BE – së.
Dhe për më tepër, mund të shihet si mundësi e bashkëpunimit midis shteteve të Ballkanit që nuk janë pjesë e BE – së. Kështu p.sh. Shqipëria, Serbia, Maqedonia Veriore, Mali I Zi, Bosnja Herzegovina dhe Kosova, së pari duhet të fillojnë procesin integrues mes veti, në çështjen e bashkëpunimit, hapjes së kufijve, tregtisë, shkëmbimit të studentëve, lirisë së lëvizjes etj.
Republika e Kosovës ka bojkotuar “mini shengenin” Ballkanik, në parim të drejtë për shkak të qasjes së Serbisë që ende nuk njeh shtetin e Kosovës. Pastaj vazhdon të shfaq ambicie territoriale, nuk zbaton marrëveshjet e firmosura në Bruksel, mohon krimin dhe gjenocidin e bërë në Kosovë. Mirëpo, Republika e Kosovës paraprakisht i ka pranuar të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimeve rajonale që e formalizojnë këtë “mini shengen” Ballkanik. Dhe, sot edhe i shfrytëzon këto benifite të këtij “mini shengeni”. Imagjinoni nëse ne formalisht nuk jemi pjesë e këtij “mini shengenit” Ballkanik, dhe shtetet pjesëmarrëse të këtij “mini shengeni” arrijnë dakordancë që lëvizjet e lira të: njerëzve, mallrave, bashkëpunimeve, etj, të realizohen vetëm mes shteteve anëtare. Atëherë, do të duhet tani të aplikohet për vizë për të shkuar në Maqedoninë Veriore, Malin e Zi, apo larg qoftë në Shqipëri?
Prandaj, nuk ka arsye logjike që të mos jetë pjesë e këtij ‘’mini shengeni‘’ Ballkanik, sepse i mungon vetëm formalizmi si dhe mungesa e mos reagimit nga Brenda, dhe jo nga jashtë! Duke e vënë gjithashtu në disfavor elementin shtetëror të Republikës së Kosovës, para bashkësisë ndërkombëtare si mos bashkëpunuese dhe izoluese. Republika e Kosovës, duhet të përfaqësohet nga institucionet e saja, dhe nga simbolet, në të gjitha aktivitetet apo nismat bashkëpunuese rajonale, vetëm kështu lartësohet imazhi dhe përfaqësimi shtetëror.
Kurse, sa i përket frikës për një Jugosllavi të re Brenda këtij “mini shengeni” Balkanik, nuk është logjike, juridike dhe as praktike. Së pari, të gjitha këto shtete janë sovrane dhe të barabarta në elementin e përfaqësimit të brendshëm dhe të jashtëm. Së dyti, të gjitha këto shtete përfaqësojnë shtetet e tyre. Brenda këtij “mini shengeni” Ballkanik, duke përfaqësuar vetveten. Së treti, elemenit i “mini shengenit” Ballkanik, është formë prezente, sot, në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, p.sh. si tek: Gjermania, Franca, Italia, apo Letonia, Estonia, Lituania, pra elementi Sovran mbetet pa marrë parasysh fuqinë shtetërore. Së katërti, të gjitha këto shtete të “mini shengenit” Ballkanik, synimin final e kanë në integrimin në Bashkimin Evropian. Së pesti, sot, kemi të bëjmë me elementin shqiptar që mund të jetë dominues si pjesë e këtij “mini shengeni” Ballkanik, sepse kemi të bëjmë me shtetet si : Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia Brenda tij. Dhe mos të harrojmë se Shqipëria sot përfaqëson bazën më të madhe ajrore të NATO – së (Baza e Kuçovës), në Ballkan, kurse Kosova, bazën më të madhe ushtarake Amerikane në Ballkan (Kampi Bondsteel ). Andaj, të mendojmë racionalisht sepse Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë alternativa të tjera përveç proceseve integruese!
(Autori është i Diplomuar Bachelor dhe Master, në Fakultetin Juridik, Univeristeti ‘’ Hasan Prishtina’’).