Ministri Aliu dhe të akuzuarit e tjerë deklarohen të pafajshëm para gjykatës

Ministri Aliu dhe të akuzuarit e tjerë deklarohen të pafajshëm para gjykatës

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është deklaruar i pafajshëm para Gjykatës Themelore në Prishtinë të premten, lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrtës zyrtare, njofton Insajderi.

“Jo nuk e pranoj fajësinë”, tha ai.

Të pafajshëm janë deklaruar edhe të akuzuarit e tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.

Me 7 qershor, duke filluar nga ora 10:00, do të mbahet shqyrtimi i dytë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017 si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par lidhur me nenin 31 të KPRK-së./Insajderi.com