
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Flamur Sefaj, ka konfirmuar për Insajderin se sot INTERPOL-i ka tërhequr fletëarrestet e lëshuara nga Serbia për arrestimin e 18 kosovarëve.
Sefaj ka thënë se ky rezultat ka ardhur për shkak të angazhimit të të gjitha institucioneve të vendit duke lënë anash dallimet politike.
“Kjo është një çështje nacionale një punë e veçantë ka qenë e policisë, drejtorit Maxhuni dhe majorit Elshani po ashtu një rol të rëndësishëm ka luajtur ILEK-u por edhe të gjitha institucionet e tjera që kanë qenë të kyçura dhe ka dalë me një rezultat pozitivë”, ka thënë Sefaj për Insajderin.
Sefaj i pyetur në lidhur me takimin që ai së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni kishte zhvilluar ditë më parë me krerët e lartë të INTERPOL-it, ka thënë se në këtë takim është kërkuar një përgjigje në lidhje më këtë çështje, ndërkaq konfirmimi ka ardhur sot.
“Ne i kemi kërkuar vetëm që të përfundohet kjo punë dhe asgjë ma shumë kjo ka qenë e gjitha dhe përgjigja e tyre ka qenë që së shpejti do të jepet një përgjigje, ndërsa sot ka ardhur konfirmimi i tyre”, ka thënë Sefaj./Insajderi.com