Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Harullah Çeku, ka përgenjështruar Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë që ndodhet në kampusin e Universitit të Prishtinës, e cila u ankua për pengim të së drejtës fetare, njofton Insajderi.
Pas liturgjisë në objektin ilegal në kampusin e Universitetit në strukturën që ishte ndërtuar në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Partia Socialdemokrate ndërmori një aksion simbolik ku me ngjyrë në muret e objektit shkruan “Simboli i Shovinizmit bëhet foltore: Bekoi Albin Kurtin”.
Këtë aksion Kisha Serbe përmes llogarisë në Twitter me emër “Manastiri i Deçanit” e ka shpërndarë duke shkruar se këto janë aksione që destabilizojnë vendin dhe pengojnë ushtrimin e të drejtës fetare.
E ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministri Çeku, duke renditur disa fakte të cilat ‘rrëzojnë’ këto pretendime.
- Taksapaguesit e Kosovës kanë paguar 6.9 milionë euro, ndërsa Bashkimi Evropian shtoi edhe 2.9 të tjerë për të restauruar rreth 50 zonave dhe lokaliteteve ortodokse të dëmtuara nga trazirat e marsit më 2004. Gjykatat në Kosovë kanë gjykuar dhjetëra autorë me dënime burgu që varijojnë nga 21 muaj deri në 16 vjet.
- Policia e Kosovës ka një njësi të veçantë për mbrojtjen e kishave ortodokse. Nga 201 pjesëtarët e saj, 30 (15 për qind) janë serbë të Kosovës. Sipas Policisë së Kosovës dhe misionit të KFOR-it në Kosovë, incidenti i fundit serioz në afërsi të një kishe ortodokse ka ndodhur më 2007.
- Sipas Policisë së Kosovës, nga 57 incidentet në lokalitetet fetare gjatë 2020-s, vetëm tetë kanë ndodhur në kisha ortodokse, ndërsa 45 në hapësirat myslimane. Shumica e 57 rasteve ishin raste të vjedhjeve, ndërsa asnjëra s’u klasifikua si e motivuar nga feja.
- Nga 2014-a deri më 2021, Policia ka raportuar 537 incidente në zonat fetare (shumica vjedhje), nga të cilat 329 (61 për qind) në hapësirat myslimane, 166 (31 për qind) në ato katolike dhe 32 (6 për qind) në ortodokse. Policia e Kosovës ofron siguri për rreth 200 lokalitete ortodokse (24/7 prezencë në 24 prej tyre).
- Institucioni i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe kishat ortodokse në vend gëzojnë të gjitha të drejtat kushtetuese, ligjore dhe institucionale që sigurojnë respektimin e të gjitha të drejtave të tyre si dhe sigurinë më të lartë.
- Harmonia ndërfetare është vlerë që e cila e dallon shoqërinë kosovare. Ne kultivojmë respekt special për të gjitha hapësirat e adhurimit dhe kemi ofruar prova të panumërta historike të mbrojtjes së tyre.
- Ligji i Kosovës për Zonat e Veçanta të mbrojtura garanton mbrojtjen e 45 kishave ortodokse dhe manastireve, lokaliteteve tjera religjioze si dhe lokalitetet me rëndësi speciale kulturore e historike për komunitetin serb (mijëra hektarë)
- Kosova ka themeluar Këshillin për Monitorim për të monitoruar dhe lehtësuar implementimin e legjislacionit përkatës. Ky Këshill ka pesë anëtarë, dy ministra, dhe përfaqësues të BE-së, OSCE-së dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
- Aneksi i Planit të Ahtisaarit për trashëgiminë kulturore ka 15 obligime në gjashtë nene. Kosova ka përmbushur të gjitha. Është vetëm një obligim që përfshin Serbinë, por që s’është implementuar kurrë: Kthimi i artefakteve të plaçkitura.
- Serbia vazhdon të mbajë padrejtësisht koleksionin arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës (1247 artefakte), si shkelje komplete e marrëveshjes origjinale, Konventës së UNESCO-s për pronat kulturore dhe Planit të Ahtisaarit.
- Gjatë luftës në vitet 98-99, forcat serbe shkatërruan qindra asete të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Gjykata e Hagës i klasifikoi si krime kundër njerëzimit. Deri tash, s’ka pasur as marrje të përgjegjësisë, as kërkimfalje e as dëmshpërblime nga Serbia.
- Republika jonë mori përgjegjësinë – dhe mbrojti trashëgiminë tonë. Ne besojmë në llojllojshmërinë e trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe si të tillë në potencialin unifikues të vet. Prandaj, ne dënojmë fuqishëm përpjekjet për të shfrytëzuar fenë për poenë politikë.
- Organizimi i liturgjive politike ju bën juve një Kishë politike. Prandaj, në vend që të bashkoni njerëzit, ju nxitni konflikt. Zoti i Madhërishëm na udhëzon të kërkojmë paqe. Ndjekja e instruksioneve ‘të perëndive politike’ është recetë për shkatërrim, dhe këtë Kisha Ortodokse Serbe është dashur ta mësonte nga vitet e ’90-a
- Ka një mosmarrëveshje pronësore që po vazhdon për ndërtesën e papërfunduar në kampusin e Universitetit të Prishtinës gjatë regjimit gjenocidal të Milosheviqit. Liturgjia politike e Kishës Ortodokse Serbe është presion i hapur në gjykatë, sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe shkelje e rendit ligjor./Insajderi.com