Ministri i Arsimit uron për vitin e ri akademik

Ministri i Arsimit uron për vitin e ri akademik

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i ka uruar studentët dhe profesorët për fillimin e vitit të ri akademik.

Do të jetë shumë më ndryshe vijimi i studimeve për shkak të pandemisë COVID-19, mësimi do të zhvillohet i kombinuar.

Përpos kësaj, studentët e rinjë ende nuk janë regjistruar për shkak të vonesave të cilat i ka shkaktuar pandemia.

“Po fillojmë këtë vit akademik, me një sfidë të përbashkët – pandeminë COVID-19”, ka thënë ndër tjerash Likaj. /Insajderi.com

Urimi i plotë:

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2020/2021, kam kënaqësinë të ju uroj suksese gjatë studimeve dhe në jetën tuaj të përditshme. Në veçanti, uroj ata që këtë vit iu bashkohen institucioneve të arsimit të lartë dhe vazhdojnë rrugën e ngritjes intelektuale. Po fillojmë këtë vit akademik, me një sfidë të përbashkët – pandeminë COVID-19. Por, studentët dhe mësimdhënësit e Kosovës, kanë ditur gjithmonë t’iu prijnë proceseve të rëndësishme gjatë historisë. Jam i sigurt, se edhe ju keni po të njëjtën fuqi për të sfiduar vështirësitë, pra edhe kushtet e studimeve në forma që mund të ndryshojnë si shkak i pandemisë. Këtë do ta bëni, duke gjetur mënyra për përgatitjen tuaj profesionale sa më cilësore, në bashkëpunim edhe me mësimdhënësit tuaj. Ju ftoj që të angazhoheni maksimalisht dhe bashkërisht ta bëjmë të suksesshëm këtë vit akademik edhe në rrethana të vështira. Kështu do të nderojmë vendin tonë dhe shumë breza të studentëve e mësimdhënësve që u sakrifikuan për liri dhe jetë më të mirë. Me këmbëngulësinë tuaj, do ta ndërtoni të ardhmen tuaj, të familjeve tuaja dhe të Kosovës! Ju dëshiroj një vit të suksesshëm akademik!