Ministri i Drejtësisë deklarohet për aksionet e policisë në Prizren dhe Veri

Ministri i Drejtësisë deklarohet për aksionet e policisë në Prizren dhe Veri

Abelard Tahiri, ministër i Ministrisë Drejtësisë ka thënë se aksionet që janë zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Prizren dhe sot në veri të Mitrovicës dëshmojnë përkushtimin e institucioneve të Kosovës.

“Aksionet e nisura dje në Prizren, kanë vazhduar edhe sot në veriun e vendit. Ky hetim dhe këto aksione dëshmojnë edhe njëherë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe për të shtrirë kushtetutshmërinë dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës”, thuhet në një njoftim për media.

Tahiri ka thënë se “Krimi dhe korrupsioni nuk do ta mbajnë peng të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Askush nuk mund t’i japë drejtim të paqenë dhe as të shtrembërojë realitetin e veprimeve të bazuara në rend dhe ligj”

“Si vend sovran, në të gjithë territorin e së cilit funksionon një rend unik juridik i bazuar në Kushtetutën e vendit, qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, duhet të ndjehen të sigurt se institucionet tona nuk do të lënë hapësirë për askënd dhe asgjë që t’ua rëndojë jetën dhe cenojë sigurinë përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Tahiri.