Ministri i Drejtësisë: Shqetësuese ulja e dënimit të Pjetër Ndrecajt

Ministri i Drejtësisë: Shqetësuese ulja e dënimit të Pjetër Ndrecajt

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se është shqetësues lajmi për uljen e dënimit për Pjetër Ndrecajn – vrasësin e Valbona Ndrecajt dhe vajzës së saj, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Selimi theksoi se politika e dënimeve mbetet një nga sfidat e sistemit të drejtësisë në vend.

“Drejtësia në vend nuk është e përkryer, por me të gjitha sfidat, mbetemi të përkushtuar dhe vazhdojmë me guxim që ta avancojmë sistemin e drejtësisë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Lajmin për uljen e dënimit për vrasësin e Valbonës dhe vajzës së saj, Pjetër Ndrecajn, e kam përcjellë me shqetësim të madh. Politika e dënimeve mbetet një nga sfidat e sistemit tonë të drejtësisë. Si ministër jam zotuar që politika do t’i mbajë duart larg drejtësisë, sado që kjo është e vështirë. Detyrë e imja është garantimi i një sistemi gjyqësor efikas, të pavarur dhe të paanshëm, i qasshëm për të gjithë.

Nuk dua të marr asnjëherë merita kur një prokuror apo gjykatës i guximshëm ndjek dhe dënon zhvatësit e shtetit e të korruptuarit, se ajo është meritë e tyre. Por, në të njëjtën formë, jam i zotuar për të respektuar ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit. Drejtësia në vend nuk është e përkryer, por me të gjitha sfidat, mbetemi të përkushtuar dhe vazhdojmë me guxim që ta avancojmë sistemin e drejtësisë. /Insajderi.com