Ministri i Drejtësisë takim në Dhomën e Posaçme për zvogëlimin e lëndëve të grumbulluara

Ministri i Drejtësisë takim në Dhomën e Posaçme për zvogëlimin e lëndëve të grumbulluara

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka takuar sot kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci dhe U.D. gjyqtar mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme, Ilmi Bajrami, me të cilët është diskutuar për bashkëpunimin, mbështetjen dhe mundësinë e krijimit të kushteve për zvogëlimin e numrit të lëndëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media të kësaj ministrie.

“Pavarësisht sfidave që kanë gjyqtarët e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, aty është shtuar efikasiteti, mirëpo ende duhet shumë punë. Që të çlirohet kapitali për ekonominë e tregut të lirë, këta gjyqtarë duhet t’i përkrahim me staf mbështetës dhe gjyqtarë të rinj”, thuhet të jetë shprehur ministri Selimi.

Ai tutje ka thënë se është i gatshëm për krijimin e një fondi emergjent nga Qeveria e Kosovës, përmes së cilit do të krijoheshin mundësitë për zvogëlimin e lëndëve në këtë gjykatë duke shtuar numrin e gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë.

“ Me kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Pecin dhe me U.D. gjyqtar mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme Ilmi Bajrami, u pajtuam që mbështetja më e madhe ndaj tyre mund t’i sjell shtetit, rreth 300 milionë euro, para të cilat po qëndrojnë të bllokuara”, ka theksuar Selimi.

Ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci dhe U.D. gjyqtar mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme, Ilmi Bajrami shprehën gatishmërinë për punuar bashkërisht në zvogëlimin e lëndëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. /Insajderi.com