Ministri i Jashtëm çek për Insajderin: Kërkim falja e presidentit ishte qëndrim personal

Ministri i Jashtëm çek për Insajderin: Kërkim falja e presidentit ishte qëndrim personal

Kërkimfalja e presidentit çek, Millosh Zeman, ndaj Serbisë për bombardimet e NATO-s, nga qeveria çeke po cilësohet deklaratë e tij personale.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Jakub Kulhanek, thotë se fjalët e presidentit Zeman nuk janë pozicion i Republikës, derisa theksoi se politika e rajonit të Ballkanit Perëndimor është shumë e ndërlikuar.

Këtë deklaratë me shkrim kryediplomati Kulhanek e dha për Gazetën Online Insajderi, duke bërë të ditur se “nevojitet një dialog afatgjatë për të zgjidhur jo vetëm një, por dhjetëra e në mos qindra veprime të gabuara”.

“Fjalët e Presidentit Zeman ishin deklarata të tij personale. Politika e rajonit të Ballkanit Perëndimor ka shumë ndërlikime”, thuhet në përgjigjen e tij.

Presidenti çek, Millosh Zeman, i ka kërkuar falje Serbisë për bombardimet e NATO-s, duke thënë se ky vend është një mik tradicional i Republikës Çeke.

“Serbia shprehu mbështetjen e saj për ne dhe ne e bombarduam atë. Më lejoni të them menjëherë se unë kërkoj falje për bombardimin e Republikës Federale Jugosllave. Ishte një gabim. Si burrë, do t’i kërkoja popullit serb të na falte. Isha i shqetësuar gjatë gjithë kohës”, ka thënë të martën Zeman para mediave pas takimit me homologun serb, Aleksandar Vuçiq.

Siç shpjegoi ai, Republika Çeke atëkohë ishte anëtare e re e NATO-s dhe po kërkonte një mënyrë për të parandaluar bombardimet, por nuk kishte mbështetje nga vendet tjera anëtare të aleancës euro-atlantike.

“Ne kërkuam pëlqimin dhe dëshpërimisht kërkuam që të paktën një vend të ishte kundër bombardimeve, por mbetëm vetëm. Ishte dhe mbetet ende një mungesë guximi,” tha Zeman.

Pas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua mediave duke e falënderuar Zemanin për fjalët e tij mbështetëse dhe faljes për bombardimet e NATO-s ndaj Republikës Federale Jugosllave.

“Unë e di që nuk është e njohur të flasësh për miqësi tradicionale dhe të sinqertë, por ajo që kam përjetuar sot këtu në Pragë dhe mikpritjen që Serbia mori këtu, dhe atë që ju keni përgatitur për ne, është diçka që më preku thellë”, tha fillimisht Vuçiq në fjalën e tij hyrëse.

“Fjalët e Presidentit Zeman, një njeri i guximshëm me një karakter unik, i cili nuk i bën lajka askujt, do të thotë shumë për mua … Unë isha dëshmitar sa i respektuar është dhe jam pak ziliqar, dua ta falënderoj për këto fjalë të mrekullueshme që ai i dërgoi Serbisë. Populli serb e percepton popullin Çek jo si mik, por si komb vëllazëror”, shtoi ai.

“Unë jam i njohur që të mos i bëj lajka askujt, jo vetëm sepse kam 120 kg, por edhe sepse kam një humor të keq … Do të jemi mirënjohës përjetësisht sepse ajo që tha Presidenti Çek tani është diçka që nuk është thënë kurrë nga askush tjetër dhe kjo mirënjohje nuk do të ndalet kurrë”, theksoi presidenti i Serbisë, i cili gjithashtu njoftoi vizitën e Zeman në Serbi. /Insajderi.com