Ministri i Kulturës: Do të ndërmarrim hapa të nevojshëm me ndërkombëtarët për çështjen e Manastirit të Deçanit

Ministri i Kulturës: Do të ndërmarrim hapa të nevojshëm me ndërkombëtarët për çështjen e Manastirit të Deçanit

Lista e Federatës Evropiane e Trashëgimisë Kulturore “Europa Nostra” ku Manastiri i Deçanit renditet në mesin e shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në mbarë Evropën për vitin 2021, ka ngjallur reagime të shumta nga skena politike në Kosovë.

Së fundmi ka reaguar Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se çështja e Manastirit të Deçanit po trajtohet me përkushtim të plotë.

“Jemi duke zhvilluar konsultime të brendshme, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë për të përcaktuar hapat e ardhshëm për trajtimin e këtij problemi, të cilët do t’i ndërmarrim në ditët në vijim. Republika e Kosovës është instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale. Ajo i takon krejt njerëzimit, i takon brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm”, ka thënë Çeku me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.

“Njoftimi për 7 Vendet më të Rrezikuara 2021 u bë në një aktivitet online të bashkë-organizuar nga përfaqësues të nivelit të lartë nga Europa Nostra dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve, me pjesëmarrjen e Mariya Gabriel, Komisionere Europiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Edukimin dhe Rininë. Nominuesit dhe përfaqësuesit e 7 vendeve të zgjedhura kontribuan në ëebinar, i cili tërhoqi pjesëmarrës nga e gjithë Europa dhe më gjerë”, u tha në njoftimin e lëshuar të “Europa Nostra”. /Insajderi.com