Ministri i ri i Inovacionit, shpalos vizionin e tij: Kosova do të bëhet qendër e inovacionit për Ballkan

Ministri i ri i Inovacionit, shpalos vizionin e tij: Kosova do të bëhet qendër e inovacionit për Ballkan

Muzafer Shala është ministri i ri i Ministrisë së Inovacionit, i cili sot ka pranuar detyrën.

Kësisoj, nëpërmjet rrjetit social Facebook, Shala, ka shpalosur vizionin e tij për drejtimin e këtij institucioni.

Ai ka thënë se Kosova sot më shumë se kurrë ka nevojë për fuqizim të ndërmarrësisë dhe inovacionit, si mundësi reale për zhvillim dhe prosperitet.

Shala thotë se Kosova ka talent dhe potencial, dhe sipas tij së bashku me ekipin e vet do të punojë drejt që ky potencial ta orientohet në zhvillim ekonomik dhe ngritje të mirëqenies.

“Do të kujdesem që startup-et inovative të kenë përkrahjen maksimale që ato të rriten e të gjenerojnë punësim dhe do të punoj fortë, që të ndërlidhim sa më shumë akademinë me ekosistemin e ndërmarrësisë në mënyrë që Kosova të bëhet qendër e inovacionit për Ballkan. Por në të njëjtën kohë, do të kujdesem që në të gjitha përpjekjet tona të jemi sa më transparent. Me besim te vetja, familja e shoqëria po nisim rrugën drejtë zhvillimit për një Kosovë ku mbështeten idetë e inovatorëve dhe ndërmarrësve të rinj. Problemet e vjetra do t’i mundim me ide të reja bashkë me djemtë e vajzat më të mirë të këtij vendi”, ka shkruar ndër të tjera ministri Shala.

Muzafer Shala u emërua në kryet të Ministrisë së Inovacionit pas shkarkimit të Besim Beqaj nga kryeparlamentari dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli./ Insajderi.com