Ministri kosovar i gëzohet autokracisë së Erdoganit, kritikon BE-në

Ministri kosovar i gëzohet autokracisë së Erdoganit, kritikon BE-në

Ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, Mahir Yagçilar ka thënë se ngritja e kompetencave të presidentit turk, Reccep Tayyip Erdogan përmes ndryshimeve kushtetuese do ta forcojë Republikën e Turqisë.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Yagçilar ka deklaruar se ishte “pro” ndryshimeve kushtetuese, të cilat sipas tij vetëm e forcojnë shtetin turk.

“Është realizuar referendumi dhe populli i Turqisë ka vendosur që të bëhen këto ndryshime kushtetuese, dhe unë personalisht mendoj se do të përforcohet Republika e Turqisë dhe do të jetë një shtet edhe më i fortë. Duke u bazuar në rrethanat në Turqi dhe rreth Turqisë, ne ishim pro këtyre propozimeve”, është shprehur Yagçilar.

Ministri në Qeverinë e Kosovës ka kritikuar Bashkimin Evropian, të cilët përmes një reagimi sot kanë thënë se “referendumi do të dërgojë në pezullimin e negociatave me Turqinë”. Yagçilar është shprehur se deklarata e BE-së është e ngutshme.

“Mendoj që është një deklaratë ngutshme sepse nevojitet kohë që të vlerësohet. Unë nuk e kam lexuar këtë vlerësimin por Turqia ka sistemin e vet, demokracinë e vet dhe besoj se do të forcohet si shtet”, ka thënë Yagçilar për Gazetën Insajderi.

I pyetur se a do të ishte “pro” një referendumi të ngjashëm sikurse të atij në Turqi, edhe në Kosovës, Yagçilar ka thënë se Kosova nuk ka veçori të njëjta me Turqinë. Ka thënë se një krahasim i tillë nuk qëndron.

“Çdo shtet ka veçori të veta, edhe historike por edhe të zhvillimit të demokracisë. Të krahasosh shtete të ndryshme nuk është trend, edhe nga aspekti i Bashkimit Evropian edhe shteteve të tjera. Turqia ka një historik të gjatë të shtet ndërtimit dhe në këtë aspekt këto krahasime, për mendimin tim nuk qëndrojnë. Po ky është vendimi i popullit turk”, u shpreh ministri kosovar.

Turqia ka votuar sot “pro” ngritjes së kompetencave të institucionit të Presidentit të Turqisë. Rreth 51 për qind e turqve i thanë “Po” ndryshimeve kushtetuese, ndërsa rreth 49 për qind votuan kundër këtyre ndryshimeve. /Insajderi.com