Ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi, ka lëshuar mbledhjen e 34-të të kabinetit të Qeverisë, pasi nga rendi i ditës u hoq një pikë e propozuar nga kjo ministri, njofton Insajderi.
Heqja e pikës së rendit të ditës për vendimin për dhënien e statusit investitor strategjik për “Kosmonte Foods”, bëri që të ketë replika mes ministrit Krasniqi, që vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate, dhe kryeministrit Avdullah Hoti.
Pasi Hoti propozoi që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, Krasniqi kundërshtoi duke thënë se janë kryer të gjitha procedurat në kohë dhe “gjithçka ka qenë pozitive”. Ai u shpreh se s’ka arsye për shtyrje të kësaj pike për në mbledhjen tjetër dhe më pas ka lëshuar mbledhjen.
Në këtë mbledhje, ekzekutiv shfuqizoi vendimin për themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian.
Qeveria e Kosovës votoi pro emërimit të Driton Selmanajt si përfaqësues i Qeverisë në punimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
E po ashtu u miratua propozimi i Ministrisë së Financave për ndarjen e 11 milionë euro për zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike./Insajdedri.com