Ministri Krasniqi premtoi dokument për ndikimin e pandemisë nëpër komuna, një gjë e tillë veç ekziston

Ministri Krasniqi premtoi dokument për ndikimin e pandemisë nëpër komuna, një gjë e tillë veç ekziston

Dokumenti të cilin Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, dëshiron ta përgatisë brenda 100 ditëve për ndikimin e COVID-19 nëpër komunat e Kosovës – veç ekziston.

Atë dokument e ka përpiluar Asociacioni i Komunave të Kosovës, vitin e kaluar – mbështetur nga Zyra Zvicrane për Bashkëpunim në Kosovë ( SDC).

“Raporti mbi nevojat Emergjente dhe Ndikimi Social-Ekonomik”, ishte titulluar dokumenti 44 faqesh.

Ani pse është i gatshëm, ministri Elbert Krasniqi, ka deklaruar të enjten se do ta përgatisin këtë dokument për nevojat e komunave.

“Pandemia kërkon kujdes të veçantë, por kemi filluar dhe brenda 100 ditëshit do të përgatisim një dokument se çka është mangu dhe çfarë duhet të bëjmë lidhur me ndikimin që ka lënë pandemia në komunat”, ka deklaruar ministri në Debatin “Fol Hapur”.

Gazeta Online Insajderi, ka tentuar të kontaktojë me ministrin Krasniqi si dhe me zyrtarë të ministrisë. Ishte e pamundur.

Komunat e Kosovës kanë qenë vazhdimisht të konsultuara nga Ministria e Shëndetësisë për vendimet në lidhje me kufizimet anti-COVID.

Madje, ka ekzistuar edhe një ndarje në tri zona, në të cilën çdo javë klasifikoheshin komunat duke u bazuar te numri i infeksioneve – varësisht nga kjo vendoseshin masat.

Së fundi kishte orë policore për të gjitha komunat.

Por, kryetarët e tyre vazhdimisht kanë kërkuar mbështetje nga Qeveria në mënyrë që t’i kalojnë më lehtë pasojat të cilat i ka caktuar pandemia në sferën shëndetësore dhe atë ekonomike. /Insajderi.com