Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, shprehet se nuk është konflikt interesi që kompania e cila është në pronësi të tij – të funksionojë në Kosovë dhe të fitojë tenderë të shpallur nga Qeveria, transmeton Insajderi.
I ftuar në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, Kuqi tha se për këtë gjë ka kërkuar mendim edhe kur ishte kryetar i komunës së Suharekës, e që sipas tij nuk ka rezultuar me asnjë konflikt interesi.
“Edhe në vitet 2006/2007 kam qenë zëvendësministër dhe atëherë nuk kam konkurruar në asnjë tenderë publik pavarësisht se kompania ime ka funksionuar në vitin 1991. Në vitin 2009-2013 kam qenë kryetar komune dhe as atë kohë nuk kam konkurruar në tenderët e komunës”, ka thënë ai.
“Në vitin 2010 kam komunikuar me Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe kam kërkuar sqarim se çfarë mund të konsiderohet konflikt interesi. Si përfundim ka ardhur se në bazë të ligjeve zyrtari i lartë mund të jetë pronar i ndonjë ndërmarrje, por nuk mund ta ushtrojë në mënyrë aktive të drejtën e administrimit sa është në pozitë zyrtare”, u shpreh tutje Kuçi.
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit thotë se tashmë është e sqaruar që nuk ka konflikt interesi.
“Në aspektin ligjor unë kam kërkuar interpretim dhe këtu nuk ka konflikt interesi”, tha ndër të tjera Blerim Kuçi. /Insajderi.com