Ministri Likaj mbron zëvendësin e tij, Driton Bardhecin: Ai studion në dy kolegje, njërin prej tyre e ka notën mesatare 9

Ministri Likaj mbron zëvendësin e tij, Driton Bardhecin: Ai studion në dy kolegje, njërin prej tyre e ka notën mesatare 9

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, është vënë në mbrojtje të zëvendësit të tij, studentit që është bërë njeriu i dytë në ministrinë e Arsimit.

Driton Bardheci, është bërë zëvendësministër përkundër se ende nuk ka diplomuar, ndërsa ditë më parë u bë publike edhe transkripta e tij e notave, ku shihej se mesataren e kishte 6.8.

Por, ministri Likaj është vënë në mbrojtje të tij.

Ka thënë se ai studion në dy vende paralelisht dhe se në njërin prej tyre e ka mesataren 9.

“Sa i përket zëvendësministrit të Arsimit, Dritonin unë e kam pasur student, ai studion në dy kolegje, studion në kolegjin privat, njërin prej tyre e ka notën mesatare 9 edhe në universitetin publik. Në të dyja është në temë të diplomës, në universitetin publik e di saktë se është në temë të diplomës. Nuk është rast i shkëlqyeshëm, por është person shembullor, ka punuar shumë me rini. Është i nominuar politik, është një djalë i mirë, i cili i njeh problemet e rinisë”, tha ai.

Keto komente ministri i ka bërë i thirrur para deputetëve në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.