Kabineti i ministrit të Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Vladrin Lluka ka dhënë sqarim pas insistimit të Gazetës Insajderi, se ai kishte promovuar kompaninë “Mabetex”, të shefit të tij, kryetarit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacollit dhe biznesin e vëllaut të tij, Valon Llukës.
Shkumbin Asllani, Këshilltar Ligjor i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Vladrin Lluka ka thënë se shefi i tij është ngatërruar me vëllaun e tij, Valon Llukën lidhur me postimin e një konkursi për 105 vende të lira të punës në fabrikën e Kërpudhave.
Asllani ka thënë për Insajderin se shefi i tij nuk ka bërë asnjë shpallje në llogarinë e tij në Facebook, lidhur me promovimin e fabrikës së kërpudhave “Oreintal Mashrooms”, e cila do të hapet në Lipjan.
“Ministri Lluka nuk ka shpërndarë në Facebook asnjë shpallje për kompaninë në fjalë. Mediet gabimisht ju kanë referuar postimit të z. Valon Lluka (për shkak të ngjashmërisë në emër) si Valdrin Lluka. Kjo është lehtësisht e faktuar, ngase lajmi i tij është postuar edhe me fotografi”, ka thënë Asllani për Insajderin.
Ndër tjera Asllani ka thënë se ministri Lluka është i përkushtuar që cdo kompani ta trajtojë në mënyrë të barabartë, duke shtuar se promovimi i cdo lloj kompanie vetëm se do t’i ndihmonte atyre.
“Promovimi i bizneseve prodhuese vendore është obligim institucional i secilit zyrtarë të lartë publik, prandaj, edhe në rastë se do të promovonte këtë kompani, apo kompani tjera siç ka bërë më herët, veprimi i tillë është në ndihmë të kompanive dhe prodhimtarisë vendore dhe në asnjë formë konflikt i interesit apo favorizim i një ndërmarrje të veçantë”, ka thënë Asllani për Insajderin.
Por gjatë ditës së djeshme në media u raportua se ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka kishte postuar një konkurs pune për 105 vende të lira në fabrikën, “Oriental Mushrooms”, e cila do të hapet në Komunën e Lipjanit.
“Fabrika më e madhe në Europë për këtë lloj kërpudhash fillon punë së shpejti”, ka shkruar Lluka, duke e etiketuar kompaninë “Mabetex Group”, raportohet të ketë shkruar ministri Lluka në Facebook.
Kjo kompani biznesore është e vëllaut të ministrit Lluka, Valon Lluka. /Insajderi.com
Ministri Lluka promovon kompaninë ku është i përfshirë vëllai dhe shefi i tij