Ministri Lluka përgatit terrenin për përfitime të kompanisë së afërt me Erdoganin

Qeveria e Kosovës po përgatit terrenin për t'ia shtuar përfitimet ekonomike kompanisë "Limak Çalik", kryeshef i së cilës është Berat Albayrak, dhëndri i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Ministri Lluka përgatit terrenin për përfitime të kompanisë së afërt me Erdoganin

Qeveria e Kosovës po rishikon mundësinë e funksionalizimit të Aeroportit të Gjakovës dhe kështu po përgatit terrenin për t’ia shtuar përfitimet ekonomike kompanisë “Limak Çalik”, kryeshef i së cilës është Berat Albayrak, dhëndri i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Në një takim që ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka zhvilloi para dy javësh me kryetarin e Komunës së Gjakovës Ardian Gjinin, deklaroi se Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet në funksion të zhvillimit ekonomik.

“E kemi përsipër një punë jashtëzakonisht të rëndë sepse MZHE duhet të koordinojë punët me ministritë përkatëse për aktivizimin e aeroportit përmes Komisionit Ndërministror për Partneritet Publiko-Privat”, tha Lluka.

Aktivizimi i Aeroportit të Gjakovës, sipas tij, do bëhet si pjesë e Aeroportit të Prishtinës dhe për këtë janë duke u shqyrtuar të gjitha format ligjore, pasi nuk mund të krijohet një aeroport dytësor në Kosovë.

“Nëse ne bashkëpunojmë me Aeroportit të Prishtinës ata kanë interesim ta marrin përsipër dhe ta aktivizojnë Aeroportin e Gjakovës, duke gjeneruar një punësim të konsiderueshëm 60-100 persona”, tha kreu i MZHE-së.

Por, kontrata që Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar me kompaninë “Limak Çalik” në gusht të vitit 2010, parasheh që hapja e një aeroporti të dytë komercial në vend është vështirë e realizueshme.

Qeveria është marrë vesh me koncesionarin – kompaninë e dhëndrit të Erdogan – se do t’i sigurojë pozitë monopoliste në treg dhe se do të veprojë kundër hapjes së aeroportit të dytë komercial, raporton Insajderi.

Aeroporti i Gjakovës-Një histori e ndërtuar mbi mashtrim

Nenet e kësaj kontrate e tregojnë këtë. Përkatësisht, neni 13.6 që e siguron koncesionarin Limak dhe Aeroports de Lyon se nuk do t’i nënshtrohen konkurrencës së drejtpërdrejtë me hapjen e një aeroporti tjetër komercial në Kosovë.

Por, edhe nëse një i tillë hapet Qeveria e Kosovës obligohet që t’ia kompensoj të gjitha humbjet koncesionarit të Aeroportit të Prishtinës.

Obligimet që dalin nga kjo kontratë e kanë pamundësuar Qeverinë e Kosovës, që të lëvizë në drejtim të hapjes së aeroportit të dytë komercial. Që do të thotë se hapja e një aeroporti të dytë do t’i shkaktonte më shumë humbje se sa përfitime Qeverisë së Kosovës.

Korporata turke ku Kryeshef Ekzekutiv është dhëndri i Erdoganit ka blerë edhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike që tash njihet si KEDS.

“Çalik Holding”, ku dhëndri i Erdoganit Berat Albayrak është Kryeshef Ekzekutiv, e cila është në konzorcium me “Limak Holding”, ishte shpallur nga Qeveria e Kosovës si pronar i Kompanisë së Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike (KEDS).

Dy korporatat turke i kishin ofruar Qeverisë së Kosovës një shumë vetëm prej 26.3 milionë eurosh për blerjen e këtij aseti publik. /Insajderi.com