Ministri Murati dërgon kallxim penal në Prokurori për shpronësimet në rrugën Kijevë-Zahaq

Ministri Murati dërgon kallxim penal në Prokurori për shpronësimet në rrugën Kijevë-Zahaq

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal në lidhje me procesin e shpronësimeve në projektin e ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, saktësisht segmentin Kijevë- Klinë – Zahaq.

Ministria e Financave përmes një njoftimi ka potencuar se raporti i auditimit ka gjetur një shpërputhje prej mbi 12 milionë eurove.

“Për qëllime të këtij projekti ishte paraparë shpronësimi i 1,059 pronave, prej të cilave 858 ishin prona private, 148 prona shoqërore dhe 53 prona të privatizuar nga procesi i privatizimit”, thuhet në njoftim.

“Të gjeturat e auditorit shpërfaqin shkelje të shumta në këtë proces, duke u nisur nga mungesa e buxhetimit të mjeteve që është kërkesë ligjore, e deri tek mos-respektimi i kritereve dhe procedurave të vlerësimit”.

“Mirëpo më kryesorja që duhet të theksohet është shpërputhja e vlerave në mes të tabelës së vlerësimit të dorëzuar fillimisht nga Departamenti i Tatimit në Pronë tek asokohe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me datë 17 maj 2019, dhe vlerave në tabelën e miratuar nga Qeveria me datë 17 dhjetor 2019”, vazhdon kumtesa.

 

Ndërsa, pas publikimit të Auditorit nga Ministria e Financave për procesin e shpronësimeve në rrugën Kijevë-Zahaq, në kohën e Qeverisë Haradinaj, ka reaguar ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.

Në një konferencë për media, Aliu ka thënë se, “ky është vetëm fillimi”.

Sipas tij, borxhi i shtetit për shpronësime, në fillim të vitit ka qenë 182 milionë euro.

Ka thënë se ka raste të shumta të shpronësimit përtej nevojave të projekteve të ndryshme, duke specifikuar “autostradat”. Ka bërë të ditur se për 6 muaj është rritur për 7 milionë euro shifra e borxhit të shtetit për shpronësime.

“Procesi i shpronësimeve në vend ka shkaktuar telashe të mëdha. Në konferencën e djeshme u fol për parregullsitë e gjetura, për ndryshimet e parregullta e ku është përmendur edhe vlerësimi i pronave ndaj njëra-tjetrës”, ka pohuar ministri.

“Procesi i shpronësimit sot përbën një nga sfidat më të vështira. Kemi rrugë të realizuara për të cilat sot Kosova përballet në gjykata e që janë mbi 12. Në fillimi të këtij viti borxhi i shtetit ka qenë 182 milionë euro lidhur me shpronësimet, vetëm gjashtë muajt e fundit ky borxh është rrit për shtatë milionë euro dhe po vazhdon”. /Insajderi.com