Ministri Pacolli jep detaje për situatën e zyrtarit rus që u arrestua në veri

Ministri Pacolli jep detaje për situatën e zyrtarit rus që u arrestua në veri

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka njoftuar se gjatë operacionit policor në veri të Kosovës, Policia ka arrestuar një zyrtar ndërkombëtar të UNMIK-ut, i cili është shtetas rus dhe një zyrtar tjetër lokal. Pacolli nuk e ka përmendur lirimin e zyrtarit rus, pavarësisht se UNMIK-u më herët njoftoi për lirimin e tij.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se MPJ-ja do ta trajtojë këtë çështje bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Pacolli ka thënë se institucioni që ai udhëheq e ka thirrur UNMIK-un për sqarime dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për të sqaruar situaten e pranisë së zyrtarit ndërkombëtar dhe lokal të UNMIK-ut në barrikadë.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës do ta trajtojë çështjen bazuar në të drejtën ndërkombëtare.  Policia e Kosovës ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për detajet e ngjarjes. Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur UNMIK-un për sqarime dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për të sqaruar situatën e pranisë së zyrtarit ndërkombëtar dhe lokal të UNMIK-ut në barrikadë”, thuhet në postimin e Pacollit.

Ndërkohë, përmes një njoftimi për media të UNMIK-ut, është njoftuar se njëri nga të arrestuarit, me shtetësi ruse është liruar, ndërkohë kreu i këtij misioni në Kosovës, Zahir Tanin, ka thënë se për çfarëdo lëndimi të mundshëm të ndonjë pjesëtari të Kombeve të Bashkuara do të marrë përgjigje më të lartë diplomatike dhe ligjore.

“Çfarëdo dëmi i shkaktuar punonjësve të Kombeve të Bashkuara do të përcillet me përgjigje më të larta diplomatike dhe ndërkombëtare ligjore”, ka thënë Tanin.

Ai më tutje ka bërë thirrje që të respektohet rendi dhe ligji, duke thënë se UNMIK-u do të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në veri.

“Ftoj të gjitha palët t’i respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe dinjitetit të gjithëve për jetë dhe liri, dhe të ndihmojnë në rivendosjen e qetësisë dhe sigurisë në atë rajon”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga zyra e UNMIK-ut në Kosovë.

Indoks të dielën ka shfaqur dokumentarin “Mafiozi Shqiptar”, ku është zbuluar një anë krejt të pa njohur e “Currit”, lidhjet e të cilit nuk përfundojnë vetëm te mafia në Çeki, e politika në Kosovë, por shkojnë deri te njerëz që janë partnerë biznesi me oligarkë të rrethit të afërt të Vlladimir Putinit.