Ministri Selimi: Çështja e Luginës të jetë temë e dialogut me Serbinë

Ministri Selimi: Çështja e Luginës të jetë temë e dialogut me Serbinë

Përfshirja e Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi, ka qenë kërkesa kryesore që u është parashtruar dy ministrave të Qeverisë së Kosovës nga politikanët shqiptarë të Luginës.

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi së bashkë me ministren e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla, kanë vizituar sot Luginën e Preshevës. Ata me këtë rast thanë se kërkesa e shqiptarëve të këtij rajoni janë legjitime dhe të njëjtët do t’i parashtrojnë te kryeministri Avdullah Hoti.

Pas takimit me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës Ragmi Mustafa, Selimi tha se ky Këshill është shembull i mirë se si të gjitha partitë ulen bashkë për një kauzë.

“Kemi pasur kërkesë nga të gjitha autoritetet dhe të gjitha palët që kemi takuar që çështja e Luginës të jetë temë e dialogut me Serbinë. Kjo kërkesë është kërkesë legjitime, pasi në dialog me Serbinë mes dy shteteve Republikës së Kosovës dhe Serbisë, çështja e shqiptarëve duhet të jetë çështje aktuale dhe duhet të jetë çështje e cila do të diskutohet”, ka thënë ministri Selimi.

Ministrat Selimi e Haradinaj kanë zhvilluar një takim edhe me deputetët e zgjedhur nga lista e përbashkët Alternative Demokratike Shqiptare Lugina e Bashkuar. Po ashtu, kanë takuar edhe fituesin e zgjedhjeve në Komunën e Bujanocit, si dhe me përfaqësues të Partisë Demokratike në Bujanoc./Insajderi.com