Ministri serb dënohet nga Gjykata e Kosovës

Ministri serb dënohet nga Gjykata e Kosovës

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka dënuar ministrin e Punës në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, për veprën penale “të kalimit të paligjshëm të kufirit”.

Në vendkalimet kufitare ka arritur vendimi me urdhërin për arrestimin e Aleksandar Vulin, shkruan sot agjencia e lajmeve serbe Tanjug.

Por, Vulin thotë se ai “nuk e njeh Kosovën si shtet dhe për këtë arsye nuk ka mundur të kryej vepër penale të kalimit të kufirit, kur nuk egziston shteti i Kosovës”.

“E kam marrë informatën nga të ashtuquajturat autoritete të Prishtinës, të cilët më akuzojnë për një lloj të dënimit për gjoja kalimin e paligjshëm të kufirit. Unë nuk e pranoj Gjykatën e tyre, gjykimet e tyre, as që më bjen në mend për të vepruar në përputhje me vendimet e kësaj gjykate”, ka thënë Vulin për Tanjug.

Vendimi për dënimin e tij është lëshuar më 19 janar të këtij viti, në mungesë të ministrit të akuzuar.

Vendimi deklaron se më 15 shkurt të vitit 2013, Aleksandar Vulin “ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës nga Republika e Serbisë, edhe pse Ministria e Brendshme e Kosovës në fillim ka refuzuar kërkesën e tij”. /Insajderi.com