Ministri për Inovacion dhe Përparim Teknologjik në Serbi, Nenad Popoviq, e ka quajtur të turpshme deklaratën e ambasadorit gjerman në Beograd, Thomas Schieb, si dhe i ka bërë thirrje t’i kërkojë falje popullit serb për deklaratën e para disa ditëve se intervenimi i NATO-s ishte i domosdoshëm për të ndalur gjenocidin mbi shqiptarët në Kosovë.
Sipas tij, deklarata e Schieb është kulmi i cinizmit dhe vazhdimi i fushatës së disa vendeve perëndimore për të shpallur popullin serb gjenocidial, raporton Tanjug, transmeton Insajderi.
“Kërkojmë nga ambasadori gjerman që të kërkojë falje nëse dëshiron që të vazhdojë punën në mënyrë kredibile dhe detyrën e diplomatit të vendit të vet në Serbi”, ka thënë Popoviq.
Ai është shprehur se “është perfide” që kjo deklaratë vjen në 80-vjetorin e sulmit gjerman mbi Beogradin, siç ka thënë ai nga “bombarduesit nazistë”.
Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schieb, ka thënë të mërkurën se bombardimi i Jugosllavisë në vitin 1999 ishte një çështje e diskutueshme, por ishte i nevojshëm një reagim, sepse duhej të parandalohej katastrofa humanitare dhe gjenocidi në Kosovë.
Sipas tij, bombardimet ishin shumë të vështira për Serbinë, por nuk duhet harruar se ato nuk ndodhën rastësisht./Insajderi.com