Ministri serb i Mbrojtjes: Do të vaksinojmë kudo që është e mundur në Kosovë

Ministri serb i Mbrojtjes: Do të vaksinojmë kudo që është e mundur në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se Serbia do të dërgojë vaksina kudo që është e mundur “në krahinën jugore”, duke iu referuar Kosovës, transmeton Insajderi.

Këto deklarata ai i bëri pas një reagimi të kardiologut Fahri Beqa, i cili tha se vaksinimi i serbëve në veri nga ana e Serbisë, është vaksinim në baza etnike, e madje është edhe shkelje e konventave ndërkombëtare.

“Vaksinimi i qytetarëve serb në Kosovë nga Serbia është vaksinim në baza etnike (ethnically based vaccination) dhe përveç implikimeve politike dhe ndërshtetërore paraqet shkelje të konventave ndërkombëtare për qasje në shërbimet shëndetësore, për më tepër edhe shkeljen e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Beqa në reagim.

Ndërkaq, Stefanoviq tha se janë të pakuptimta këto deklarata, duke theksuar se Serbia kryen vaksinim kudo që ka mundësi “në krahinën jugore”.

Në një prononcim për televizionin serb “Prva”, Stefanoviq tha se vaksinimi bëhet vetëm në bazë të parimeve mjekësore dhe shëndetësore.

“Nuk kemi mundësi të intervenojmë në pjesë të caktuara në Kosovë e Metohi. Ne e bëmë këtë aty ku është e mundur, por kjo po bëhet vetëm mbi parimet shëndetësore. Situata epidemiologjike edhe më parë ka qenë, e edhe tani është e rëndë, dhe aty ku kemi mundur ta sigurojmë, e kemi bërë për të ndihmuar”, deklaroi ministri serb, Stefanoviq.

Ai tha se institucionet e Kosovës nuk kanë kapacitet për t’u ndihmuar as shqiptarëve, dhe, sipas tij, askush nuk pret se do t’u ndihmojnë serbëve që jetojnë “në krahinën jugore”.

Stefanoviq tha se nëse do të kenë mjaftueshëm vaksina, asgjë nuk do t’i pengojë që një sasi të shkojë edhe në Republikën Serbe të Bosnje e Hercegovinës.

“Natyrisht se e duam Republikën Serbe dhe popullin tonë, por çfarë përkeqësojmë nëse ndihmojmë dikë, çka ka të keqe këtu, ne kështu ndihmojmë tërë Bosnje e Hercegovinën… ose ata mendojnë se aty ku jetojnë serbët nuk duhet investuar asgjë e të mos ndihmojmë”, deklaroi ministri serb i Mbrojtjes. /Insajderi.com