Ministri serb: Nëse Vuçiq do të shkonte në Banjë, situata do të eskalonte

Ministri serb: Nëse Vuçiq do të shkonte në Banjë, situata do të eskalonte

Edhe pse janë bërë dy javë që nga vizita e Vuçiqit, zyrtarët e Beogradit ende po e komentojnë ndalesën që iu bë presidentit serb për ta vizituar fshatin Banjë. Kjo pas protestave nga banorët e rajonit të Drenicës.

Kësaj radhe ai që e ka komentuar këtë veprim ka qenë ministri serb i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq.

Ai në një intervistë për gazetën serbe Kurir ka deklaruar se reagimet në Kosovë nisën që nga momenti kur Vuçiqi vizitoi Gazivodën.

“E gjithë atmosfera u krijua për ta përgatitur një incident. Ata thanë se Vuçiq nuk mund të shkojë në Gazivodë, dhe u krijua një atmosferë kërcënuese sikur në rastin e Gjuriqit. Kur presidenti shkoi në Gazivodë, atëherë pati reagime të mëdha. Kur dështoi ndalimi aty, atëherë ndodhi incidenti në Banjë. Çdo gjë ka qenë e orkestruar, dhe ka pasur informacione se njerëzit kanë qenë të pajisur me armë”, ka thënë Stefanoviq, transmeton Insajderi.com

Madje ai ka thënë se nëse Vuçiq do të vendoste të shkonte në Banjë, ka pasur gjasa që situata të eskalonte.

“Kur kemi të bëjmë me profile të tilla njerëzisht, veteran të luftës e ish-anëtarë të organizatave të tilla, atëherë ka shumë të ngjarë që situata të përshkallëzohet”, ka thënë ministri serb.

Stefanoviq ka kritikuar institucionet ndërkombëtare që nuk po reagojnë, për marrëveshjen e Asociacionit e cila tash e sa kohë nuk po zbatohet.

“Marrëveshja për Asociacionin u nënshkruar në vitin 2013 dhe askush nga BE nuk po bën presion për ta pëfunduar atë”, deklaroi Stefanoviq. /Insajderi.com