Ministri serb tregon se si mund të largohet Kosova nga kushtetuta e Serbisë

Ministri serb tregon se si mund të largohet Kosova nga kushtetuta e Serbisë

Pas vizitës që realizoi në Kosovë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi mundësinë për një referendum ku qytetarët serbë do të votonin për zgjidhjen e problemit me Kosovën.

E një referendum do të ishte i pashmangshëm sipas ministrit të Tregtisë në Serbi, Rasim Lajiq.

Lajiq ka pranuar indirekt se zgjidhja me Kosovën mund të jetë duke ndryshuar preambulën e Kushtetutës së shtetit serb.

“Nëse preambula kushtetuese që i referohet Kosovës do të ndryshohet, një referendum do të ishte i detyrueshëm”, thotë Lajiq, transmeton lajmi.net

Sipas ministrit serb, një referendum i mundshëm për Kosovën do të ishte mundësi që qytetarët të shprehin lirisht dhe në mënyrë demokratike zgjidhjen e propozuar nga politikanët.

Por ai thekson se “përgjegjësia nuk do të largohej”, duke aluduar në përgjegjësinë që do ta bartë secili zyrtar shtetëror.

Lajiq thotë se një zgjidhje eventuale është e vështirë duke pasur parasysh polarizimet ndërmjet dy vendeve.

“Nëse mbahet referendum, do të kuptohej më qartë pas pranverës, derisa të zhvillohet dialogu i brendshëm”, thotë Rasim Lajiq.

Ndryshe, dy presidentët e shteteve, Thaçi dhe Vuçiq, pas një takimi që patën në Davos të Zvicrës, u pajtuan që dialogu të vazhdojë.