Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur në një takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairi O’Connell.
Ministri Shala e ka falënderuar ambasadorin O’Conell për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës në zhvillimin ekonomik të vendit dhe forcimin e Institucioneve.
“Mirënjohje për Mbretërinë e Bashkuar dhe për ambasadorin O’Conell për mbështetjen e vazhdueshme që po jepni për Kosovën në forcimin e institucioneve tona. Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Bashkuar kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe shpresoj që shpejt këto marrëdhënie do të thellohen edhe në aspektin ekonomik, duke i rritur shkëmbimet tregtare”, tha ministri Shala.
Ndërsa, ambasadori Ruairi O’Connell, falënderoi ministrin për bashkëpunimin, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë përkrahëse e Kosovës.
Ambasadori theksoi se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë speciale dhe njëkohësisht vlerësoi se duhet të thellohet edhe bashkëpunimi ekonomik.