Ministri shpreson se vizat liberalizohen përmes “miqësisë” me eurodeputetët

Ministri shpreson se vizat liberalizohen përmes “miqësisë” me eurodeputetët

Teksa presidenti i vendit Hashim Thaçi së fundmi ka ashpërsuar gjuhën ndaj Bashkimit Evropian duke i kërcënuar me “bashkim kombëtar me Shqipërinë” nëse BE-ja nuk i hap dyert për shqiptarët, ministri i Punëve të Jashtme ka dhënë një lajm se kanë krijuar miqësi me deputetët evropian.

Ministri Enver Hoxhaj sot nga Brukseli ka dhënë lajmin se është formuar edhe zyrtarisht Grupi i Miqësisë ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kosovës.

Ministri Hoxhaj falënderoi Lunacek dhe euro-deputetët e tjerë për bashkëpunimin dhe konkretizimin e kësaj ideje të nisur muaj më parë.

Madje sipas ministrit “kjo miqësi” mund të sjellë edhe liberalizimin e vizave.

“Sot ka qenë një ditë e veçantë në Parlamentin Evropian meqë është themeluar grupi i miqësisë në mes të Parlamentit Evropian dhe Kosovës, që do të jetë një platformë e mirë e mbështetjes së Kosovës në agjendën evropiane. Ndërsa, kam pasur mundësinë edhe që të raportoj për zhvillimet në Kosovë pranë Komisionit për Politikë të Jashtme, dhe të kërkoj mbështetjen e shumë deputetëve të parlamentit evropian për liberalizimin e vizave”, ka thënë Hoxhaj.

Por Bashkimi Evropian e ka bërë tashmë të qartë që liberalizimi i vizave bëhet vetëm nëse ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi.

Por për dallim nga ministri Hoxhaj, eurodeputetja Ulrike Lunacek ka folur më për toke për rolin e këtij Grupi të Miqësisë.

Ajo ka vlerësuar se formimi i Grupit të Miqësisë është vetëm platformë ku mund të zhvillohen takime dhe debate jo formale për tema të ndryshme të rëndësishme.

“Formimi i Grupit të Miqësisë është i rëndësishëm sepse nënkupton që do të ketë mundësi të zhvillohen takime dhe debate joformale me njerëz si ministri Hoxhaj, apo shefat e Komisioneve Parlamentare për Integrime dhe Punë të Jashtme ku do të mund të diskutohen temat në mënyrë më joformale”, ka deklaruar Lunacek.

Të rëndësishëm por pa dhënë ndonjë argument specifik se përse është i rëndësishmë ku grup, e kanë cilësuar edhe kryetarja e Komisionit për Integrime Europiane, Njomza Emini dhe Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reqica./Insajderi.com