Ministri Tahiri del me plan strategjik të drejtësisë

Ministri Tahiri del me plan strategjik të drejtësisë

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka prezantuar Planin Zhvillimor Strategjik të Ministrisë së Drejtësisë, 2018- 2021.

Gjatë prezantimit të këtij plani, ministri Tahiri shpalosi prioritetet themelore të tij ndër të cilat, sundimin e ligjit, luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat legjislative që mundësojnë përafrim me integrimin në Bashkimin Evropian, të cilat mundësojnë siguri juridike dhe qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në mesin e objektivave kryesore, ministri Tahiri prezantoi në mes tjerash: përmirësimin e infrastrukturës ligjore që përfshinë rishikimin e thellë  të sektorit të sundimit të ligjit, plotësimin e kodifikimit të së drejtës penale dhe civile, si dhe legjislacionin për gjyqësorin dhe prokurorinë; rritjen e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale dhe civile, anëtarësim në mekanizma ndërkombëtar, administrim më efikas të sistemit të ekzekutimit të sanksioneve penale, rritjen e zbatimit të masave dhe dënimeve alternative, funksionalizimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe mekanizmit për drejtësinë tranzicionale, zhvillimin e kapaciteteve për funksionim efikas të drejtësisë, përfshirë përgjegjësinë dhe efikasitetin e Avokaturës Shtetërore, profesioneve të lira dhe  administrimin e pasurisë së konfiskuar.

Në fund, ministri Tahiri theksoi se është i përkushtuar për të zbatuar këto objektiva, të cilat do të mundësojë ngritjen e Shtetit të së Drejtës në një dimension kuptimplotë.