Ministri Vitia komenton tenderin që ish-shefat e tij e fituan nga Ministria e Shëndetësisë

Ministri Vitia komenton tenderin që ish-shefat e tij e fituan nga Ministria e Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ministria që ai drejton ka respektuar procedurat ligjore në prokurimet publike, teksa ka komentuar hulumtimin e Gazetës Online Insajderi për një kontratë që kompania e ish-shefave të tij, “Agani Ltd.”, ka fituar nga MSh-ja tri javë më parë.

Vitia, në një intervistë për Rubikon në Klan Kosova, ka thënë se angazhimi i tij në kompaninë “Agani Ltd.” ka qenë publik. Ministri ka mohuar të ketë ndikuar në kontratën që ish-shefat e tij e fituan nga Ministria e Shëndetësisë.

“Sa i përket kompanisë Agani, unë në kompaninë Agani kam punuar 2004 deri më 2007. Kjo është publike dhe s’e kam mbajtur fshehtë kurrë”, ka thënë ai. “Si dhe, në vitin 2020, nga janari deri në këtë ditë që po flasim – u interesova pasi doli ky lajm – kompania Agani ka fituar 136 mijë euro tenderë; nga këto, 120 mijë janë fituar para se të vija unë në zyrë, ndërkaq 16 mijë euro janë fituar pasi që të vija unë”.

Megjithatë, Vitia nuk e ka komentuar mundësinë e ekzistimit të konfliktit të interesit në rastin e tenderit që firma private “Agani Ltd.” ka fituar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Tani, kompania Agani, është nga kompanitë e para që ka vepruar me produkte farmaceutike në Kosovë. Unë besoj se Agani ka fituar vlera të larta financiare në vitet mëparshme”, ka thënë ministri Vitia.

Vitia ka pretenduar se Zyra e Prokurimit e ministrisë që ai udhëheq, ka respektuar procedurat në dhënien e tenderëve publikë.

“Minimumi i kompanive që janë thirrur në procedura ka qenë 6, ndërkaq maksimumi ka qenë mbi 15. Do të thotë nga 10 deri në 20 kompani janë ftuar çdo herë, edhe pse kemi pasur mundësinë që ta thërrasim vetëm një kompani”, ka thënë Vitia.

Ministri Vitia është shprehur i hapur për hetimin e procedurave të dyshimta prokuruese të MSh-së.

“Pastaj me alokimin e 300 mijë eurove shtesë nga Qeveria e Kosovës, së pari kemi njoftuar Policinë e Kosovës dhe Departamentin e Krimeve Ekonomike, dhe kemi kërkuar nga ta që të vijnë e të na ndihmojnë që çdo lëndë e dyshimtë të merret dhe të hetohet. Jemi të hapur që çdo lëndë të hetohet nga çdo organizatë që dëshiron të bëjë analizën dhe të na ndihmojë edhe ne”, ka thënë Vitia.

Në mesin e tre përfituesve të një kontrate të Ministrisë së Shëndetësisë që peshon gati gjysmë-milioni euro, është edhe një firmë private e lidhur ngushtë me Arben Vitinë, udhëheqësin aktual të kësaj ministrie.

Firma private farmaceutike “Agani Ltd”, në të cilën ministri aktual i Shëndetësisë kishte punuar për tri vite, ka marrë hise të konsiderueshme në një tender për furnizim emergjent me barna.

“Agani Ltd” është njëra nga tri firmat përfituese të tenderit të emërtuar: “Furnizim emergjent me produkte farmaceutike për Corona-virus”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 439 mijë (439.900,00) eurove.

Më 10 prill të këtij viti, kjo kompani private është përzgjedhur fituese e lotit 31 të tenderit, të vlefshëm 16 mijë (16.055,00) euro.

Sipas dosjes së tenderit, Ministria e Shëndetësisë ka blerë nga kompania “Agani Ltd”, 16.055 copë pilula “Morphina 20 mg 1 ml” në vlerë prej 16 mijë e 55 euro.

Ministria ka ndjekur procedurën tenderuese “të negociuar pa publikim të kontratës”. MSh-ja ka negociuar vetëm me kompaninë “Agani Ltd”, sado që ligji i prokurimit publik lejon që edhe në procedurat e mbyllura tenderuese të kontaktohen më shumë se një kompani private.

Po ashtu, Insajderi ka gjetur se biznesmeni i akuzuar për mashtrim, Armend Agani, negocioi në emër të kompanisë farmaceutike “Agani Ltd” për këtë kontratë.

Ai kishte mbajtur pjesën më të madhe të aksioneve në ndërmarrje deri më 27 prill të vitit të kaluar, kur kishte hequr dorë nga aksionet e firmës “Agani Ltd” dy javë pasi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës. Aksionet ia kishte bartur djalit të tij, Don Aganit.

Mirëpo, kontrata e lidhur ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe firmës “Agani Ltd”, tregon se Armend Agani vazhdon të ketë rol brenda firmës.

Ish shefat e Arben Vitisë marrin hise në tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë