Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tashmë ka shkuar për vizitë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, ku kanë kërkuar ndihmë mjekësore rreth 900 banorë për shkak të helmimit që dyshohet se erdhi nga konsumimi i ujit të pijes.
Pas gjendjes emergjente që është krijuar në këtë vend tash e tri ditë, ministria Vitia po qëndron në vizitë në këtë komunë për të parë nga afër situatën e krijuar.
Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Online Insajderi, stafi mjekësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.
Ata kanë thënë se Vitia pritet të flas me drejtorin e kësaj qendre në lidhje me gjendjen e krijuar nga helmimi i qytetarëve.
Të martën e 13 korrikut është shpallur gjendje emergjente në këtë komunë nga kryetari Bashkim Ramosaj, vendim ky i cili është marrë në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të Komunës së Deçanit.
Deri më tani bëhet e ditur se nga të infektuarit, dy persona nuk kanë arritur t’i mbijetojnë këtij helmimi, ndërsa trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /Insajderi.com