
Pas zgjedhjes së Marjan Demës në krye të Universitetit të Prishtinës, Ministria e Arsimit ka thënë se e vlerëson lartë procesin e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
“Me këtë rast, falënderojmë të gjithë bartësit e procesit zgjedhor në të gjitha nivelet e organeve të Universitetit për përkushtimin dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të rregullta dhe transparente”, thuhet në një komunikatë për media.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Arsim Bajrami uron Prof. Dr. Marjan Dema, për zgjedhjen në detyrën e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, “duke i ofruar mbështetjen dhe bashkëpunim e plotë në realizmin e programit të punës për fuqizimin e Universitetit, si institucioni kryesor i arsimit të lartë në vend dhe vënien e universitetit në shërbim të shoqërisë dhe të ekonomisë së vendit”.