Ministria ia huq – e çon Federatën e Xhudos në Pejë

Ministria ia huq – e çon Federatën e Xhudos në Pejë

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka raportuar sot përmes një komunikate se ministri Kujtim Gashi ka vizituar Federatën e Xhudos në Pejë. Mirëpo në Pejë nuk është destinacioni i Federatës. Në Pejë është Klubi i xhudos IPPON, ndërsa selia e Federatës gjithmonë është në kryeqytet, Prishtinë.

“Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Federatën e Xhudos në Pejë. Me rastin e kësaj vizite, në një ceremoni ku morën pjesë edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës”, thuhet në komunikatën e dërguar për media nga Ministria e Kulturës.

Arsyeja e vizitës së ministrit Gashi në Pejë është që të shpërblejë klubin, trajnerin dhe xhudistet të cilat morë pjesë në Kampionatin Evropian të xhudos në prill të këtij viti.

“Ministri Gashi, ka ndarë ceqet xhudisteve Nora Gjakova dhe Distria Krasniqit po ashtu edhe trajnerit Driton Kuka. Xhudistja Nora Gjakova është shpërblyer me 20 mijë euro, pas fitores së medaljes së artë në Kampionatin Evropian që është mbajtur në prill të këtij viti, ndërsa xhudistja Distria Krasniqi është shpërblyer me 14 mijë euro për fitoren e medaljes së argjendtë. Ndërkaq trajneri i xhudisteve, Driton Kuka, është shpërblyer me 17 mijë euro”, thuhet në një komunikatë.

Gjatë këtij takimi trajneri Driton Kuka ka thënë se “është kënaqësi që ndarjen e shpërblimeve për rezultate elitare po e mbajmë në një ambient ku ne stërvisim, ku sportistët tonë janë rrit, janë ndërtu si sportistë, një ambient që tashmë nuk po na zen sepse numri i sportistëve po rritet dita ditës edhe sukseset po ashtu”.

Ndërsa pas marrjes së shpërblimit Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi u shprehën shumë të kënaqura dhe falënderuese për ndarjen e këtyre shpërblimeve.

“Këto shpërblime dhe Ligji për Sport është një motivim edhe një arsye që ne të punojmë edhe më shumë sepse rezultatet tona në bazë të këtij ligji tani e tutje po përkrahen edhe financiarisht. Kjo është shumë e rëndësishme që puna jonë të mos shkoj dëm dhe gjithmonë të mbështetet në mënyrë financiare”, tha Nora Gjakova.

Ndërkaq Distria Krasniqi u shpreh: “Është kënaqësi që sukseset tona po shpërblehen dhe po mbështetemi nga Ministria dhe po shihet që puna jonë po vlerësohet”./Insajderi.com