fbpx

Ministria e Dhurata Hoxhës dërgon një njoftim të ri, korrigjon fjalët e ambasadorit O’Connell

Ministria e Dhurata Hoxhës dërgon një njoftim të ri, korrigjon fjalët e ambasadorit O’Connell

Ministria e Integrimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas deklaratave të ambasadorit britanik në Prishtinë, Ruairí O’Connell, i cili ka thënë të mos ketë bërë deklaratat që janë publikuar në media, pasi ka takuar ministren në detyrë të Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha.

Zyra e Komunikimit dhe Informimit në këtë ministri ka thënë se “shpreh keqardhje për versionin e kumtesës e cila kishte lëshime dhe ishte shabllon i përdorur më herët dhe i pakonfirmuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar”.

“Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadorin O’Connell për përkrahjen në luftën kundër krimit, korrupsionit, e nepotizmit, duke potencuar se miqësia dhe përkrahja e Mbretërisë së Bashkuar, është vlerë e qytetarëve dhe shtetësisë së Kosovës”, është thënë në versionin e rregulluar të komunikatës.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ambasadori britanik ka thënë se gjatë takimit nuk ka komentuar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, apo të drejtat të njeriut, siç është pretenduar.

Sipas tij një gjë e tillë ka ndodhur disa herë, andaj teksa është në përfundim të mandatit, kjo është një prej gjërave që nuk do t’i mungojnë nga Kosova.