Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se sot kanë anuluar kontratën përmes së cilës është dhënë në shfrytëzim prona e Ministrisë së Drejtësisë, duke njoftuar se bëhet fjalë për dy hektarë, 12 ari e 17 metra katror, njofton Insajderi.
Sallahu gjithashtu ka njoftuar se kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorin Speciale ndaj ish-ministrit Selim Selimi dhe drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.
Madje ai tha se ndaj këtij të fundit është dorëzuar kërkesë në Këshillin Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë “për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës.
“Sot njëanshëm, kanë anuluar kontratën kriminale përmes së cilës persona të papërgjegjshëm kanë dhënë në shfrytëzim pronën e Ministrisë së Drejtësisë, personit juridiko privat pa asnjë bazë ligjore, gjithsej 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katror. Po ashtu kemi dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër ish Ministrit Selim Selimi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi. Dhe krejt në fund kemi dorëzuar kërkesën në Këshillin Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë kundër Nehat Thaçit për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës. Nuk mund dhe nuk duhet të tolerojmë shkelje të ligjit”, ka shkruar ai. /Insajderi.com