Ministria e Drejtësisë kërkon reagim nga KPK për dyshimet se Prokuroria e Gjilanit angazhon ekspertë joligjor

Ministria e Drejtësisë kërkon reagim nga KPK për dyshimet se Prokuroria e Gjilanit angazhon ekspertë joligjor

Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas raportimeve se në disa lëndë të gjykuara në Themeloren e Gjilanit mund të hedhen poshtë për shkak se “prokuroria e Gjilanit i ka angazhuar ekspertët mjekoligjor në kundërshtim me ligjin”.

Në një postim në Facebook në faqen zyrtare të kësaj ministrie, thuhet se lidhur me pretendimet për kontraktim të paligjshëm të ekspertëve që nuk janë ekspertë mjekoligjor, ende nuk është parë reagim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Ministria e Drejtësisë është e shqetësuar nga lajmi i publikuar sot në media lidhur me kontraktimin që Prokuroria Themelore në Gjilan, ka bërë me mjekë jo-ligjor për të dhënë mendime dhe ekspertiza ligjore, mbi të cilat pastaj janë nxjerrë vendime gjyqësore”, thuhet në reagimin e ministrisë.

“Lidhur me pretendimet për kontraktimin e paligjshëm të ekspertëve që nuk janë ekspertë mjekoligjor, ende nuk kemi parë një reagim të Këshillit Prokurorial të Kosovës”.

Sipas këtij dikasteri, një veprim i tillë e dëmton funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe cenon liritë dhe të drejtat e palëve në procedurë.

“Ministria e Drejtësisë me të kuptuar shkeljet me pagesat e kundërligjshme që i kemi adresuar përmes konferencës ditë më parë, ka filluar menjëherë të ndërmarrë veprime për ndalimin e një skeme të tillë të kundërligjshme dhe bashkëvepruese ndërmjet akterëve të lartcekur”.

 

 

 

Gjatë paradites së sotme, “Kallxo.com” ka raportuar se doktorë, kirurgë dhe ortopedë në Komunën e Gjilanit po angazhohen nga Prokuroria Themelore në Gjilan si ekspert mjekoligjor në kundërshtim me ligjin pasi nuk kanë të përfunduar specializimin e mjekësisë ligjore.

Sipas këtij raportimi, ata pranojnë aktvendime për kryerjen e ekspertizave nga ana e prokurorëve të Gjilanit, marrin qasje në dosjet penale dhe kryejnë ekspertiza mjeko-ligjore edhe pse nuk janë pjesë e Institutit të Mjekësisë Ligjore. /Insajderi.com