Ministria s’e pranon që suspendoi Avokatin Shtetëror vetëm se foli kundër korrupsionit

Gazeta Insajderi dje ka raportuar se si ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka suspenduar avokatin shtetëror, Shefqet Hasimi, i cili kishte kritikuar zyrtarët e AKP-së rreth çështjes së Hotelit Grand dhe rreth keqpërdorimeve të AKP-së për një parcelë tokë. Lidhur me këtë ka reaguan Ministria e Drejtësisë.

Ministria s’e pranon që suspendoi Avokatin Shtetëror vetëm se foli kundër korrupsionit

Në një komunikatë të lëshuar sot nga Ministria e Drejtësisë, thonë se shkrimet e tilla janë tendencioze dhe nuk e paraqesin të vërtetën, edhe pse Gazeta Insajderi i ka dokumentuar këto.

“Në disa portale dje, më 14.8.2017, u raportua se Ministrja Dhurata Hoxha, ka suspenduar avokatin shtetëror Shefqet Hasimi, vetëm pse “foli kundër korrupsionit”. Kjo deklaratë është plotësisht tendencioze dhe ka për qëllim manipulimin e opinionit publik për të krijuar një imazh negativ të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministres Hoxha”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Ministria e Drejtësisë thotë se Avokati shtetëror Shefqet Hasimi u suspendua dhe ka filluar procedura disiplinore kundër tij sepse në komunikim zyrtar ka bërë deklarata të pavërteta në raport me Agjencinë Kosovare të Privatizimit duke e akuzuar atë se ka bërë privatizimin e kundërligjshëm të Hotelit Grand.

“Avokati shtetëror, Sheftqet Hasimi, e ka bërë këtë deklaratë të pavërtetë edhe pse Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për Çështjet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në dy instanca e ka vërtetuar se privatizimi i Hotelit Grand ka qenë i ligjshëm. Kjo çështje është ngritur edhe deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka refuzuar ankesën”, thuhet në komunikatë.

“Republika e Kosovë është paditur nga Mabco Construction në arbitrazh ndërkombëtar për dëmshpërblim lidhur me rastin e privatizimit të Hotel Grand dhe në këtë procedurë Republika e Kosovës mbrohet nga Avokatura Shtetërore, pjesëtar i të cilës është vet Shefqet Hasimi. Deklaratat e tij të pavërteta e dëmtojnë pozicionin juridik të Republikës së Kosovës në procedurën e arbitrazhit dhe janë jo vetëm joprofesionale por edhe të pandershme, kur si avokat shtetëror e ka për detyrë të mbrojë Republikën e Kosovës”, vazhdon komunikata.

Po ashtu, Ministria e Drejtësisë thotë se “nëse avokati shtetëror Shefqet Hasimja ka fakte se procedura e privatizimit të Hotel Grand ka elemente korruptive, si avokat shtetëror është dashur të ngrit këtë çështje te organet kompetente, gjë që nuk e ka bërë, e jo të bëjë deklarata që dëmtojnë interesin juridik të Republikës së Kosovës”.

“Kundër veprimeve joprofesionale të avokatit shtetëror Shefqet Hasimja, Ministria e Drejtësisë ka pranuar ankesa të shumta nga Ministritë dhe Agjencitë shtetërore për qasje joprofesionale, kulmi i të cilave ka qenë deklarata lidhur me Hotelin Grand, dhe për të cilat tani do t’i nënshtrohet procedurës së disiplinimit”, përfundon sqarimi i Ministrisë së Drejtësisë.

Për më tepër, Gazeta Insajderi dje ka publikuar vendimin e ministres Hoxha për suspendimin e avokatit shtetëror Shefqet Hasimja dhe letrat që ai ua kishte dërguar zyrtarëve të AKP-së duke i kritikuar për punën e tyre./Insajderi.com