Ministria e Drejtësisë: Vetëvendosje po e mbronë monopolin në fushën e noterisë

Ministria e Drejtësisë: Vetëvendosje po e mbronë monopolin në fushën e noterisë

Ministria e Drejtësisë, ka reaguar lidhur me deklaratat e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me provimin e Noterëve, i cili sipas VV-së është konsideruar si skandal.

Sipas kësaj ministrie, deklaratat e VV-së janë konsideruar ndërhyrje e qëllimshme politike.

“MD  e cilëson këtë ndërhyrje si një përpjekje të hapur për të sabotuar një ndër reformat më të rëndësishme që mundësojnë qasje më efikase, më të shpejtë dhe sa më afër qytetarëve në shërbimet noteriale”.

“Shtimi i numrit të noterëve është në qendër të reformave të drejtësisë, për shkak se shërbimet noteriale aktualisht mungojnë në një pjesë të konsiderueshme të komunave të Republikës së Kosovës dhe qytetarët e vendit kanë nevojë për qasje të drejtpërdrejtë në këto shërbime sa më afër vendbanimit të tyre dhe me shpenzime sa më të vogla financiare”, thuhet në komunikatën Ministrisë së Drejtësisë.

“Një ndërhyrje e tillë e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë proces profesional, është në dobi ekskluzive të grupeve të interesit që për shkak të rrethanave të mungesës së numrit të mjaftueshëm të noterëve, kanë zhvilluar një praktikë të plotë të monopolit në shërbimet noteriale”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se Vetëvendosje, duke u përpjekur të nxisë sabotimin e këtij procesi profesional, “në fakt, po merr në mbrojtje me qëllim akterë të caktuar që kanë përfituar miliona euro nga monopolet e tyre në fushën e Noterisë”.

”Ministria e Drejtësisë e fton Lëvizjen Vetëvendosje që t’i japë fund kësaj tentative, sepse shembja e monopoleve është kërkesë e qytetarëve, kërkesë e partnerëve tanë zhvillimor dhe është në funksion të plotë të qasjes më të lehtë e më efikase në drejtësi”, thuhet në komunikatën e MD.