Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Lutfi Zharku i LDK-së, gjatë vitit të kaluar nuk ka kompletuar dokumentet në katër tenderët publik, ashtu siç është e obliguar me ligj.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në dosjet e tenderëve për investimet kapitale kanë munguar ofertat e fituesve si dhe informacionet rreth procedurave të prokurimit, raporton Insajderi.
Ky institucion bënë të ditur se pavarësisht kërkesave drejtuar MI-së, ata asnjë herë nuk u kishin ofruar dokumentet e kërkuara, për një tender për asfaltimin e një rruge, marrja me qera e 16 veturave, servisimin e automjeteve si dhe servisimin dhe mirëmbajtja e kompjuterëve.
Përveç kësaj Ministria e Infrastrukturës e ka mbajtur të fshehur edhe një dosje tjetër për një tender 963 mijë euro, me arsyetimin se dosja është marrë për shqyrtim nga Agjensia Kundër Korrupsion.
Shuma e përgjithshme e të gjithë tenderëve për të cilët nuk ka ofruar dëshmitë MI është afër dy milionë euro.
Ky veprim i Ministrisë është në kundërshtim me legjislacionin dhe si e tillë është e sanksionusheme.
Për më tepër, sipas ZAP pamundësia e MI-së për gjetjen e dokumenteve redukton aftësinë e menaxhmentit për monitorim dhe vendimmarrje efektive dhe vë në dyshim pajtueshmërinë ligjore të procesit të prokurimit publik.
I rekomandohet ministrit që t’i përforcojë mekanizmat e kontrollit dhe të kërkojë llogaridhënie nga zyrtarët e prokurimit për të siguruar që situatat e tilla mos të përsëriten në ardhmen. /Insajderi.com