Ministria e Jashtme e Izraelit pas reagimit të Prishtinës: Faleminderit Kosovë

Ministria e Jashtme e Izraelit pas reagimit të Prishtinës: Faleminderit Kosovë

Drejtori i Departamentit për Euro-Azi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, Yacov Livne, e ka falënderuar Kosovën për qëndrimin zyrtar në lidhje me konfliktin e Izraelit me grupin militant palestinez, Hamas, njofton Insajderi.

Livne ka shkruar “Faleminderit Kosovë!”, derisa ka shpërndarë qëndrimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës të shprehur sot në rrjetin social Twitter.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, sot deklaroi se si çdo shtet, edhe Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për ta mbrojtur popullin e vetë kundër raketave nga Hamasi.

“Si çdo shtet, edhe Izraeli ka të drejtën dhe obligimin për ta mbrojtur popullin e tij kundër 2000 raketave të hedhura mbi civilët vetëm nga Hamasi, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij. Ne jemi të pikëlluar për të gjitha viktimat. Ne kërkojmë që të përmbahemi, ta ndalojmë dhunën dhe të kërkojmë zgjidhje paqësore”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë ditës së djeshme ka falënderuar vendet të cilat kanë mbështetur shtetin ën Lindjen e Afërt, në konfliktin e vazhdueshëm me organizatën e shpallur terroriste të Palestinës, Hamas, ndër të cilat bënë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Gjermania e Italia. /Insajderi.com