Ministria e Kulturës me 15 projekte në Deçan

Ministria e Kulturës me 15 projekte në Deçan

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, gjatë një vizite sot në Deçan, ka shprehur mbështetjen e ministrisë që ajo drejton për vazhdimin e përkrahjes për këtë komunë përmes projekteve të ndryshme në fushën e kulturës.

Dumoshi gjatë kësaj vizite është takuar me kryetarin Bashkim Ramosaj me të cilin ka biseduar për projektet e përbashkëta mes MKRS-së dhe Komunës, investimet që janë duke u zhvilluar dhe ato që janë në plan të realizohen vitin e ardhshëm.

Konkretisht bëhet fjalë për 15 projekte në të cilat ministria është duke investuar në Komunën e Deçanit, në fushat e kulturës, trashëgimisë, rinisë dhe të sportit, si shtëpi të kulturës, biblioteka, 6 restaurime të kullave, qendrën rinore, sallën sportive e fushat e poligonet sportive.

Pas takimit të mbajtur në komunë, ministrja Dumoshi deklaroi se qyteti i Deçanit ka një vlerë të madhe në trashëgiminë kulturore të Kosovës, andaj MKRS do të vazhdojë përkrahjen për këtë komunë./Insajderi.com