Autoritetet komunale të Prizrenit dhe ato të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve janë duke shqyrtuar opsionet e mundshme për gjetjen e objektit të përshtatshëm për vendosjen e një pjese të kësaj ministrie në qytetin historik.
Lidhur me këtë çështje ende nuk ka ndonjë vendim konkret, por orientimi i deritanishëm institucional është që MKRS-ja selinë ta ketë në qendrën historike të Prizrenit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Burimet e gazetës që kanë njohuri për procesin kanë bërë të ditur se nga lista e objekteve që janë në pronësi të Komunës, në renditjen e ngushtë për selinë e re të MKRS-së kanë hyrë qendra “Evropa”, ish-ndërtesa e Kadastrës, shtëpia e Shuaip Pashë Spahiut (ku planifikohej të vendosej Akademia Diplomatike e Kosovës) dhe ndërtesa e Rektoratit të Universitetit të Prizrenit, në qendër.
tjetër propozim i përmendur ka qenë objekti ku aktualisht vepron Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prizrenit, i cili, sipas burimit të gazetës, është eliminuar nga kombinimi shkaku që ndodhet larg nga qendra e qytetit.
“Opsioni më i favorshëm për vendosjen e institucionit të MKRS-së në Prizren është objekti i Rektoratit të UPZ-së, por ende nuk ka një vendim përfundimtar”, ka thënë ky burim, që ka pranuar të flasë vetëm në kushte anonimiteti.
Mirëpo zyrtarët e Komunës së Prizrenit as nuk i kanë mohuar e as pohuar opsionet e sipërpërmendura. Drejtori i Urbanizmit në këtë komunë, që njëherësh kryeson edhe Komisionin e Pronave, Visar Islamaj, ka deklaruar se “janë duke u shqyrtuar disa opsione” .